TAHIR BATATINA

Batatina: Rrezikun e mbaj mbi supet e mia, Kupa mbetet prioritet
6 May, 2021 @17:49
Skuadra e Llapit ka bësuar humbje sot përballë Drenicës me rezultat 4-2 dhe i është afruar zonës së rrezikshme për rënie në një rang më të ulët.
Llapjanët duke e ditur këtë rrezik, u paraqitën përsëri me lojtarë të rinj, pasi trajneri Tahir Batatina vendosi t’i kursejë lojtarët kryesorë për ndeshjen finale të Kupës së Kosovës.
Lidhur me këtë, Batatina tha se e mbanë rrezikun mbi supet e veta dhe synon që në fund skuadra e tij ta fitojë Kupën dhe të mbetet në Superligë.
“Sot janë ndalë shumë zëra që mendojnë se Llapi me disa skuadra po luan me ekipin e dytë, e me disa të tjerë me ekipin e parë.
E kam thënë edhe publikisht që Llapi prioritet e ka Kupën dhe lojtarët kryesorë i ruan për Kupë. Edhe sot ndaj një rivali direkt për mbijetesë, që është Drenica, prapë po paraqitem me ekipin e dytë dhe e ruajta skuadrën për ndeshjen vendimtare të vitit në Kupë. E di që është rrezik, por rrezikun do ta mbajë mbi supet e mia. Sot djemtë bënë maksimumin edhe pse ishin të rinj. Më gëzon debutimi i Diar Vokrrit 16-vjeçar që debutoi. Kushëri i Fadil Vokrrit dhe shpresoj të shkojë hapave të tij. Pastaj janë edhe Klinaku dhe Krasniqi të cilët janë lojtarë kualitativë dhe do t’i japim hapësirë këtyre lojtarëve”, tha ndër tjerash Batatina për Art Sport.