VALON BERISHA
Berisha: Miqësorja përgatitje për Greqinë
8 November, 2021 @23:14
Njëri ndër futbollistët më me përvojë të Kosovës, Valon Berisha, i është rikthyer ekipit pas lëndimit që kishte në ndeshjet e tetorit dhe nuk mundi t’i ndihmonte bashkëlojtarëve në fushë.
Në një bisedë pas stërvitjes së sotme në Fadil Vokrri me faqen zytare të FFK-së, Berisha ka thënë se është më mirë dhe është gëzuar në ritakimin me bashkëlojtarët, ndërsa po mbretëron atmosferë e mirë para ndeshjeve të radhës.
“Gjithçka është mirë. U takuam me djelmoshat, janë mirë. Kam pasur lëndim, tash jam rikthyer dhe ndihem mirë,” ka thënë fillimisht Berisha, derisa më pas u pyet për punën me selektorin e ri, Primoz Gliha.
“Ai ka qenë pjesë e stafit të Bernardit [Challandes] edhe më parë. E njohim mirë. Por, normalisht, tash ai don me e kriju lojën e vetë dhe besoj që po e kuptojmë shpejt,” ka thënë ai.
Sa i përket rezultateve që presin nga ndeshjet e radhës të Kosovës, miqësorja ndaj Jordanisë dhe kualifikuesja e fundit për Katar 2022 ndaj Greqisë si mysafir, Valoni ka thënë:
“Presim rezultate pozitive. Dëshirojmë ta kryejmë vitin sa më mirë, ashtu që të nisin ciklet tjera në atmosferë të mirë. Ndaj Greqisë presim ndeshje të vështirë, por është mirë që së pari luhet miqësorja, pasi që mund të na bëj edhe më të mirë atmosferën para duelit ndaj Greqisë.”
Dardanët, të mërkurën, në orën 18:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” do të luajnë miqësore me Jordaninë, derisa katër ditë më pas do të luajnë kundër Greqisë në Athinë, ndeshje e cila do ta përmbyllë ciklin e kualifikimeve për Botërorin “Katari 2022”.