PEJË
Besa - Hajvalia, hapin stinorin
22 August, 2015 @10:51
Me fillim në ora 17:00 Besa në Pejë pret Hajvalinë në ndeshjen e parë të xhiros së parë të stinorit të ri të Superligës.
Ekipi i drejtuar nga Arbnor Morina llogaritet si ekip shumë i përgatitur për stinorin e ri dhe është njëri ndër ekipet që pritet të luftojnë për titull.
Besa është nënkampion aktual dhe tashmë trajneri Morina ka të stabilizuar mirë skuadrën, derisa nis stinorin e dytë te ekipi pejan.
Në anën tjetër, Hajvalia, gjithashtu llogaritet si ekip pretendet për një vend lartë në tabelë. Ekipi nga paralagjja e Prishtinës do të nis për herë të parë në Superligë me trajnerin e emëruar para fundit të stinorit të kaluar, Mentor Miftari.
Stadiumi Shahin Haxhiislami pritet të jetë i stërmbushur në pasditen e sotme. Ndeshja e fundit në Superligë ndërmjet këtyre dy skuadrave e zhvilluar më 17 maj kishte përfunduar në të mirë të Besës që shënoi fitore 2-1 me anë të golave të Fetim Kasapit në Shahin Haxhiislami, derisa golin e vetëm për Hajvalinë e kishte shënuar Enis Zabërxha, që tashmë luan për Llapin.