Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

1/4: MAROKU - PORTUGALIA

Çfarë Maroku historik, eliminon Portugalinë dhe shkruan historinë!

Çfarë Maroku historik, eliminon Portugalinë dhe shkruan historinë!


10 December, 2022 @18:02

Çfarë Maroku!

Pasi e eliminoi Spanjën në 1/8 e finales, sot Maroku e eliminoi edhe Portugalinë nga Kampionati Botëror, për t’u bërë kështu shteti i parë nga Afrika që arrin në gjysmëfinale të një kampionati botëror, një arritje historike!

QATAR 2022 - SKEMA DREJT FINALES

Ndeshjen e sotme marokienët e fituan 1-0, falë një goli të shënuar në pjesën e parë, mjaftueshëm për ta arritur gjysmëfinalen.

Ndonëse pa përvojë në këtë fazë të garës, Maroku u tregua i pafrikësuar që nga fillimi. Futboll atraktiv, mbajtje e topit me qetësi dhe raste të krijuara, ndërkohë që Portugalia nuk arrinte të organizonte akcione konkrete në pjesën e parë, e pastaj arriti të krijonte diçka më tepër në të dytën.

Goli i vetëm i ndeshjes erdhi në minutën e 42’, kur En Nesyri shënoi për 1-0 të Marokut. I ndihmuar nga mbrojtja portugeze në gjumë dhe një dalje e pakuptimtë e portierit portugez, En Nesyri me një shkëputje fantastike në ajër, e çoi topin në rrjetë.

Në pjesën e dytë, presioni portugez mbi portën marokiene u shtua, por goli i barazimit nuk erdhi asnjëherë. As inkuadrimet e Cristiano Ronaldos e Joao Cancelos nga banka rezervë nuk sollën pothuajse asgjë, ndërkohë që edhe disa goditje të rrezikshme të portugezevë u pritën nga portieri Bono, që edhe sonte ishte mjaft i mirë, siç ka qenë gjatë gjithë kampionatit. Kujtojmë që deri më tash Maroku e ka pësuar vetëm një gol në këtë kampionat, dhe ajo ishte autogol!

Lajm i keq për Marokun është lëndimi i Saiss, i cili me gjasë do të mungojë në gjysmëfinale, e ndoshta edhe Ziyech, i cili gjithashtu pësoi një lëndim sot.

Nëse flasim për paraqitjet individuale, sonte te Maroku duhen përmendur Amrabat e Ounahi, që ishin fantastik në mesfushë.

Çerekfinalja e fundit luhet sonte me fillim nga ora 20:00 mes Anglisë dhe Francës, fituesi e së cilës luan ndaj Marokut në gjysmëfinale, e më pas gjysmëfinalet luhen më 13 dhe 14 dhjetor.


 
Të gjitha lajmet nga Botërori