Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

1/2: FRANCA - MAROKU

Cilësia vendos, Franca për të dytën herë radhazi në finale

Cilësia vendos, Franca për të dytën herë radhazi në finale


14 December, 2022 @21:55

Për të dytin kampionat botëror me radhë, Franca e DIdier Deschamps është në finale!

Kampioni në fuqi i Botës e mposhti sonte 2-0 Marokun, për ta arritur finalen e Botërorit të Katarit, ku do të përballet me Argjentinën.

Ndeshja filloi në mënyrë fantastike për Francën, që e gjeti rrjetën që në minutën e pestë. Një shpërqëndrim jo të zakonshëm të mbrojtjes së Marokut, arriti ta shfrytëzojë maksimalisht Theo Hernandez për 1-0 të Francës.

Më pas, Franca pati edhe dy raste të tjera të mira, fillimisht një shtyllë e Giroud e më pas një mundësi e shpërdoruar pikërisht nga Giroud, kurse Maroku shtoi presionin dukshëm në fundin e pjesës së parë. Në 5 minutat e fundit të pjesës së parë, Maroku e goditi një herë shtyllën, ndërkohë që në dy-tri raste të tjera porta franceze u detyrua të shpëtohej nga Lloris.

Duhet përmendur që Maroku humbi mbrojtësin e rëndësishëm Saiss pas vetëm 20 minutave lojë. Lëndimin që e kishte që nga ndeshja e kaluar, Saiss nuk mund ta duronte edhe sonte dhe u detyrua të largohej nga loja.

SKEMA DREJT FINALES

Si gjatë gjithë kampionatit, Maroku u fut i pafrikësuar edhe në pjesën e dytë. Por, përkundër trysnisë, goli i barazimit nuk erdhi. Si ndaj Anglisë, edhe sonte në shprehje erdhi kualiteti i Francës, që e gjeti golin në cepin tjetër të fushës dhe e vulosi fitoren.

Golin e sigurisë e shënoi futbollisti Kolo Muani, që u inkuadrua në lojë krejt pak sekonda para se ta gjente rrjetën (79’). Kështu, ndeshja u mbyll me rezultatin final 2-0.

Për t’u përmendur nga takimi i sontëm është edhe paraqitja e Griezmann, i cili zhvilloi një ndeshje shembullore, duke u gjendur në çdo cep të fushës.

Megjithatë, ëndrra e Marokut nuk ka përfunduar plotësisht. Të shtunën kjo skuadër fantastike do të ndeshet me Kroacinë në luftë për vendin e tretë, ndërkohë që Franca luan ditën e diel në finalen e madhe ndaj Argjentinës.


 
Të gjitha lajmet nga Botërori