Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

ASTRIT SELMANI

COVID-19 vështirëson ardhjen e Selmanit te Kosova

COVID-19 vështirëson ardhjen e Selmanit te Kosova


16 March, 2021 @16:49

Sulmuesi i spikatur kosovar i skuadrës suedeze Hammarby, Astrit Selmani, është një prej futbollistëve që pritet të grumbullohet për herë të parë me përfaqësuesen e Kosovës.

Mirëpo ende pa u publikuar lista e dardanëve për ndeshjet e muajit mars, kanë filluar të krijohen disa telashe që mund ta vështirësojë grumbullimin e futbollistit me përfaqësuesen.

Te skuadra e Selmanit, Hammarby, janë paraqitur raste të shumta pozitive me COVID-19 dhe kjo situatë e ka alarmuar gjithë klubin për të marrë masa strikte për mos përhapje të mëtejme të virusit.

Rasti i parë pozitiv me COVID-19 te skuadra e Hammarbyt ishte paraqitur në fillim të muajit, kur u konfirmua infektimi i një lojtari, i cili menjëherë më pas u izolua. Por situata u përkeqësua edhe më tej më 11-12 mars dhe së fundi me testet e djeshme, duke rezultuar pozitiv shumica e lojtarëve.

“Nga testet që u bënë dje, kemi pranuar raste shtesë të konfirmuara dhe tani kemi gjithsej 16 lojtarë dhe 5 drejtues që kanë rezultuar pozitiv me COVID-19. Fatmirësisht shumica shfaqin simptoma të lehta. Ne kemi marrë masa të forta për ta parandaluar përhapjen e mëtejme të virusit dhe tashmë e gjithë skuadra është e karantinuar,” ka thënë drejtori sportiv, Jesper Jansson, për faqen zyrtare të klubit.

E gjithë kjo situatë e ka komplikuar ardhjen e Selmanit te përfaqësuesja e Kosovës, e cila së shpejti pritet të grumbullohet për ndeshjet kundër Lituanisë, Suedisë dhe Spanjës.

Kujtojmë se sulmuesi 24-vjeçar në stinorin e kaluar ka qenë golashënuesi i dytë më i mirë në kampionatin suedez me gjithsej 15 gola të shënuara në 24 paraqitje.


 
Të gjitha lajmet nga Kosova