PUNIMET VAZHDOJNË!
Shenja jete në “Fadil Vokrri”
6 June, 2024 @16:31
Kanë dalë sot fotografitë e para nga punimet në “Fadil Vokrri” ku po vërehet nisja e shtirjres së barit hibrid! E enjtja është dukur bukur në fushë të lojës në “çerdhen” e futbollit të Kosovës, ndërsa punonjësit janë parë duke shtruar tapetin e ri në “Fadil Vokrri”.
Rreth 1.3 milionë euro ka ndarë Ministria e Sportit për ndërrimin e plotë të fushës në stadiumin e kryeqytetit ku Kosova po planifikon të luajë ndeshjet e Ligës C të Kombeve prej shtatorit e tutje. Afati i rregullimit të plotë të fushës është thënë të jetë korriku i kësaj vere.
Tash e tutje mbetet të shihet se sa shpejt do të bëhet i gatshëm “Fadil Vokrri” për tu rrokullisur topi prapë aty, pasi që siç dihet prej fundit të vitit të shkuar FFK-ja ndali të gjitha ndeshjet të luhen aty, pas gjendjes katastrofale të fushës së lojës, ku pos Kosovës luan edhe Prishtina ndër të tjera.
Përndryshe, Kosova në Ligën C të Kombeve kërkon fitoren e grupit ku gjendet, ashtu që të plasohet në Ligën B të Kombeve për edicionin e radhës të saj. Kosova pos Rumanisë bartëse në grup, ka edhe Qipron e Lituaninë si kundërshtarë aty.