FLET DE BIASI
Danimarka, e rrezikshme dhe tepër e fuqishme
6 October, 2014 @11:21
Strategu italian që po udhëheq me sukses kombëtaren shqiptare, Gianni De Biasi, në një konferencë për shtyp të mbajtur dje në zyret e FSHF-së, ka bërë të ditur shumëçka lidhur me ndeshjen me Danimarkën.
Ajo që ka kërkuar De Biasi në fillim të konferencës ka qenë që të mos pyetet për ndeshjen pas Danimarkës, por vetëm për kundërshtarin e radhës.
“Mos harroni se Danimarka është skuadër që luan më mirë jashtë vendit të saj. Edicionin që kaloi, ata kanë pasur më shumë fitore jashtë Danimarkës sesa brenda - këtë gjë duhet të kemi në konsideratë të gjithë,” ka thënë fillimisht italiani 57 vjeç.
Fitorja ndaj Portugalisë dhe pritjet ndaj Danimarkës.
“Fitorja mund të na dërgojë jashtë rrugës, jashtë objektivave. Ne çfarëdo rezultati që të kishim marrë ndaj Portugalisë, do të ishte krejt normale dhe kjo nuk do të ndryshonte objektivat e kombëtares. Kemi edhe 7 ndeshje tjera dhe duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë,” është treguar i kujdesshëm De Biasi.
A do të kënaqet Shqipëria me barazim ndaj Danimarkës?
“Edhe më parë kam thënë se nuk kënaqem asnjëherë me barazim. Unë e përgatis skuadrën për maksimum, por ajo që ndodh në lojë, pastaj edhe fati mund të përcaktoj shumëçka - janë çështje tjera,” ka qenë i qartë De Biasi, që tregohet real, duke ditur kapacitetin e futbollistëve të të dyja palëve.
Si fitohet ndaj Danimarkës, e keni menduar?
“Me shumë përqëndim dhe kujdes në mbrojtje, pikë së pari. Ata janë tejet të gjatë, kanë fizikus impresionues dhe janë tepër aktiv në ajër dhe goditjet në zonë. Ata kanë një Christian Eriksen që ka shut shkatërrues. Ai shuton fortë pa marrë vrull dhe nga çdo pozitë. Duke ditur këto, do të mundohemi të bëjmë më pak gabime se kundërshtari, që e përsëris, është tepër i vështirë për tu kaluar,” analizon trajneri i kombëtares.
Shqipëria pret Danimarkën të shtunën më 11 tetor në Elbasan Arena, që njëherit do të jetë ndeshja e parë në stadiumin e renovuar, që më parë quhej Ruzhdi Bizhuta.
Burimi i lajmit: Panorama Sport.