MIQËSORJA E RADHËS
Argjentina-Kosova, shumë e mundshme
6 October, 2014 @10:50
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka gjasa reale të luajë me nënkampionen aktuale të botës në futboll, Argjentinën.
Drejtuesi i Federatës së Futbollit të Argjentinës, Guillermo Tofoni, në një prononcim të tij për të përditshmen e Buenos Aires, Clarin, ka vërtetuar përfoljet e mediave.
“Nuk kemi ende kundërshtar për 15 nëntor, sepse përfaqësueset tjera po i frikësohen tonës,” ka thënë ai për Clarin.
Tofoni ka treguar se Holanda, Italia, Franca dhe Kolumbia kanë refuzuar ftesën për miqësore të Gauchosëve për datën e lirë nga FIFA dhe tashmë Lionel Messit me kompani i kanë mbetur tre opcione të lira: Kosova, Lituania dhe Marokoja.
Në anën tjetër, edhe kreu i FFK-së, Fadil Vokrri, ka bërë të ditur se është duke e shikuar çdo mundësi për të aranzhuar një miqësore të tillë, por nuk ka dhënë detaje shtesë pasi që ende nuk ka asgjë të konfirmuar, shkruan sot Sport Plus.
Argjentina është nënkampione e Botës dhe e renditur në vendin e dytë të klasifikimit mujor të FIFA-së. Ata udhëhiqen nga ish trajneri i Barcelonës, Gerardo Tata Martino.