JUVE-ROMA
Bonucci vendos derbin
5 October, 2014 @20:00
Derbi i madh italian, veçanërisht i viteve të fundit, Juventus-Roma, përfundoi me fitoren e Bianconerëve kampionë.
Dy ekipet me ecuri perfekte në Serie A deri më tani - të gjitha fitore - u takuan në Juventus Arenan e stërmbushur, që dha plotë emocione.
E derbin e vendosi, papritur, një mbrojtës. Ishte qendërmbrojtësi Leonardo Bonucci që u gjet më së miri në pozitën ku ra topi i dëbuar pas largimit të mbrojtjes romake nga një korner.
Bonucci goditi me volej për të shënuar golin e fitores dhe për të përcaktuar rezultatin përfundimtar të ndeshjes 4 minuta para fundit të takimit.
Katër golat tjerë të takimit u shënuan në pjesë të parë. Carlos Tevez solli në epërsi Juventusin nga penalltia, derisa Francesco Totti barazoi gjithashtu nga penalltia. Roma doli në epërsi 2 minuta para fundit të 45 minutëshit të parë përmes Juan Iturbes, por Tevez, përsëri nga penalltia shënoi për të çuar ekipet në pushim me barazim.
Në fund, pas një zënke, Alvaro Morata i Juventusit dhe Kostas Manolas i Romës u përjashtuan me karton të kuq nga referi i ndeshjes - që pati shumë kritika nga futbollistët e të dyja palëve gjatë ndeshjes.
Juventus vazhdon me rekord perfekt tash ecurinë në Serie A, derisa Roma përjetoi humbjen e parë të stinorit.
REZULTATET, TABELA AKTUALE DHE NDESHJET E RADHËS