NDARJA E RADHËS

Diar Prokshi, largimi i radhës nga Feronikeli
14 January, 2022 @14:23
Nuk kanë të ndalur largimet nga Feronikeli dhe si duket skuadra nga Drenasi po shkon drejt përshëndetjes nga Superliga këtë stinor!
Ish kampioni i Kosovës tashmë ka mbetur edhe pa futbollistin e deritashëm të skuadrës Diar Prokshi, që ka bërë të ditur për largimin e tij nga llogaria personale e Facebookut.
“Dëshira e madhe për të dhënë kontribut për KF Feronikelin nuk mjaftoi. Largohem i mërzitur nga gjendja që po kalon klubi me shpresë që të kthehet në majet e futbollit,” ka shkruar ndër të tjera ai.
Feronikeli është në krizë financiare qysh prej fillimit të sezonit 2021/22. Ekipi vështirë se do të mund të mbijetojë stinorin në Superligë, derisa një numër i madh i lojtarëve që u angazhuan këtë stinor me niklin veçse kanë bërë të ditur largimin nga skuadra.
Kujtojmë, Feronikeli është bërë tri herë kampion i Kosovës në dekadën e fundit, duke triumfuar në sezonet 2014/15, 2015/16 dhe 2018/19.