KRIZA VAZHDON

Arsim Gojani, trajner i deritashëm i Vëllaznimit/ Foto: KFVëllaznimi/ fb
Arsim Gojani bashkë me shtabin teknik japin dorëheqje
12 March, 2023 @22:10
Para pak çastesh, pas rezultateve të dobëta përkundër përforcimeve të ardhura në klub gjatë janarit, nga KF Vëllaznimi ka dhënë dorëheqje kryetrajneri Arsim Gojani dhe shtabi teknik i ekipit.
Dorëheqja e tyre është e parevokueshme, ndërsa Bordi i ekipit ka bërë të ditur se brenda ditëve ne vijim do të njoftojnë për shtabin e ri teknik të ekipit.
“Pas rezultateve negative të katër xhirove të para, kryetrajneri Arsim Gojani dhe shtabi teknik kanë ofruar dorëheqje të parevokueshme. Pas ndeshjes së sotme, është mbajtur mbledhja e Bordit drejtues të klubit, ku Bordi ka miratuar dorëheqjen e shtabit teknik dhe falenderoi kryetrajnerin Gojani dhe shtabin teknik për kontributin e dhënë dhe angazhimin e tyre të palodhshëm gjatë këtyre tri muajve. Për më shumë informata rreth shtabit të ri teknik do t’ju informojmë në ditët në vijim,” ka shkruar njoftimi i KF Vëllaznimit lëshuar pak më parë.
Vëllaznimi sot ka pësuar nga Trepça në Gjakovë, 1-2. Gjakovarët janë të fundit në renditjen tabelare të Ligës së Parë Grupi A, ndërsa u duhet mrekullia për të shpëtuar nga rënia në Ligën e Dytë të Kosovës, që është kategori e tretë e futbollit kosovar.
Nëntë xhiro para fundit të stinorit, Vëllaznimi ka 2 pikë dhe është i fundit në renditje të Ligës së Parë Grupi A, ndërsa ekipi më i afërt për ta, është A&N në pozitën e parafundit me 20 pikë!