MITROVICË
Dy fitore larg titullit
24 May, 2015 @15:43
Ferronikeli ka arritur të kalojë pengesën tepër të vështirë mitrovicase sot në Riza Lushta.
Ekipi i Gani Sejdiut përkundër se ka qenë në presion nga vendasit, ka arritur të këndellet, të shfrytëzojë rastet që kishte për të shënuar fitore 1-3 ndaj Trepçës’89.
Ekipi i Afrim Tovërlanit, nisi me gol, kur Drilon Musaj asistoi për sulmuesin Blerand Kurtishaj, që pa probleme goditi për 1-0.
Por, drenicakët u kundërpërgjigjën shpejtë përmes Mendurim Ollurit, që me gol tepër të bukur, barazoi në 1-1, pasi që u asistua nga Përparim Livoreka.
Por, në pjesën e dytë, Ferronikeli nisi më mirë dhe dukej më kërkues. Kjo u shpërpblye shpejtë kur Behar Maliqi me kokë shënoi për 1-2 pas një krosimi, derisa Xhevdet Shabani vulosi fitoren më vonë 1-3.
Ferronikeli aktualisht ka 8 pikë më shumë se Prishtina e dytë, derisa Trepça’89 mbetet në mes të klasifikimit.