PIKË E MADHE PËR "PAMPURËT"
Edhe Fushë Kosova shkëput pikë nga Prishtina
2 October, 2023 @21:02
Numri i ndeshjeve pa fitore për Prishtinën ka shkuar në pesë radhazi, ndërsa Fushë Kosova ka shënuar në momentet e fundit të ndeshjes për të siguruar pikë ndaj kryeqytetasve. Ndeshja u luajt të hënën pasdite në “Sami Kelmendi” të Lipjanit, pasi që “Ekrem Grajqevci” i Fushë Kosovës nuk i plotëson kriteret për ndeshje të Superligës. E dje, ndeshja nuk u luajt aty, pasi që Drita e kishte rezervuar derbin ndaj Gjilanit po në “Sami Kelmendi”.
Ka qenë qendërmbrojtësi slloven i fushëkosovarëve Dominik Ivkic ka shënuar në stilin e tij, duke ardhur në momentet e fundit dhe për tu gjendur në vend të duhur prej korneri dhe për të shënuar në portën e Kolaj, për përfundimtaren Fushë Kosova 2-2 Prishtina [Armend Abazi 51’ pen., Dominik Ivkic 90’+5 - Ardian Muja 40’, Hasan Hyseni 46’].
Pas një rasti të madh të pritur nga Kolaj, kur Urim Statovci nuk shënoi i vetmuar para tij, që në sulmin tjetër Prishtina ndëshkoi kur Jalen Blesa nga e djathta pasoi në mes, e aty Ardian Muja (40’) pa pritur goditi për 0-1 në të mirë të kryeqytetasve.
Me të nisur pjesa e dytë Hasan Hyseni rehatoi Prishtinën. Ai mori topin nga depërtimi i Mujës për të shënuar në portën e Armend Ruxhit për 0-2 (46’). Por, shpejt Fushë Kosova gjeti shpresën. Një tentim dëpërtimi brenda zonës i Laëal bëri që mbrojtja ta ndalë atë në mënyrë të palejueshme sipas referit kryesor që ishte afër dhe Armend Abazi uli epërsinë nga 11 metërshi për 1-2 (51’).
Krejt në fund, në minutën e fundit shtesë, te korneri i fituar i Fushë Kosovës kur kishte dalë edhe portieri Ruxhi për të kërkuar gol për Fushë Kosovën, topi i kthyer gjeti qendërmbrojtësin Ivkic, që përsëri luajti heroin për “Pampurët” dhe siguroi pikën për përfundimtaren 2-2 (90’+5).
Edhe pse kjo është vetëm pika e dytë e Fushë Kosovës, ekipi ka treguar luftë të madhe dhe ka shfrytëzuar Prishtinën që tashmë për pesë ndeshje rresht nuk po gjen fitoren. Pas kësaj ndeshjeje Fushë Kosova ka dy pikë dhe është e fundit në renditje pas shtatë ndeshjeve të zhvilluara në tetë xhiro, kurse Prishtina me tetë ndeshje ka 11 pikë dhe është e pesta në renditje.
Në xhiron e radhës, që është e fundit për ciklin e parë të Superligës Fushë Kosova i shkon Feronikelit’74, ndërsa Prishtina pret Ballkanin.