RIKTHEHEN TE FITORJA
Pas tri humbjeve rresht, Malisheva i kthehet fitores
30 September, 2023 @17:42
Malisheva ka mposhtur në Prizren me rezultat minimal Lirinë sot, ndërsa i është kthyer fitores në Superligë pas tri humbjeve rresht të regjistruara në xhirot e kaluara.
Ekipit të Senad Alirifës i ka mjaftuar një gol nga Ilir Mustafa (ish-lojtar i Lirisë) në pjesë të dytë për të vulosur fatin e takimit. Malisheva përndryshe pati dominim gjatë pjesës më të madhe të ndeshjes dhe dukej se ishte më cilësore në fushë, ndërsa me durim e kërkim erdhi edhe goli, të cilin aq shumë e kërkuan. Raste plot, derisa Drilon Hazrollaj ishte më i pafat, e në anën tjetër Arlis Shala mbrojti gjithçka nga loja. Penalltia vendosi!
Liria nuk arriti t’i kundërpërgjigjej lojës së Malishevës sot, derisa një rast i Jr Petrusit në pjesë të parë dhe goditjet nga distanca në pjesë të dytë ishin ato për tu veçuar, që nuk sollën ndërrim në rezultat.
Në fund, Liria 0-1 Malisheva [Ilir Mustafa 67’ pen.] ndërsa malishevasit tashmë kapin 12 pikë nga 8 ndeshje të luajtura dhe janë për momentin të katërtit në renditje. Liria në zonën e rrezikshme, me 6 pikë nga 8 ndeshje, e teta në tabelë.
Në xhiron e fundit për ciklin e parë të ndeshjeve të Superligës, Liria i shkon Llapit, ndërsa Malisheva pret Dritën.