EURO U-16/ DIV B
Edhe Ukraina e fortë për Kosovën
15 August, 2018 @12:41
Përkundër fitores së djeshme ndaj Zvicrës U16, basketbollistët e Kosovës U16, nuk kanë arritur t’i bëjnë ballë sot bashkëmoshatarëve ukrainas.
Në përballjen e zhvilluar në palestrën Sabit Hadzic të Sarajevës, në kuadër të Europianit U16 të Divizionit B, Kosova U16 ka pësuar thellë sot nga Ukraina U16 89-57, me 32 pikë dallim.
Çereku i parë ka kaluar pak më mirë për Kosovën, kur rezultati ishte 19-15, ndërsa në të dytin rezultati ishte 38-27 për ukrainasit.
Në pjesë të dytë, pasoi një lojë e fuqishme e ukrainasve të cilët e fituan këtë çerek 30-12 për të çuar më lehtë fundin e ndeshjes, ku 10 minutëshi i fundit ishte 21-18 për totalin 89-57.
Ruslan Ivanov ka qenë çështje e pazgjidhshme për lojtarët e Kosovës sot. Ai shënoi 29 pikë, duke qenë lojtari larg më efikas se të tjerët te Ukraina, ndërsa qëlloi edhe nëntë trepikëshe, prej 18 tentimeve. Krejt këto për 27 minuta lojë.
Te Kosova U16 vetëm dy lojtarë arritën të shënojnë pikë dyshifrore. Don Polloshka luajti me 12 pikë, ndërsa Drilon Shala përfundoi takimin me double-double prej 11 pikëve, 10 kërcimeve dhe 1 asistimi.
Derisa Ukraina U16 ka përfunduar Grupin D me bilanc 3-2, Kosova U16 e përfundon fazën grupore me 1-4 dhe tash do të luajë në përballjet për plasmanin përfundimtar në evropian.
TABELA PËRFUNDIMTARE E GRUPIT D:
1 | Bosnja e Hercegovina | 5 fitore | 0 humbje | |
2 | Çekia | 4 fitore | 1 humbje | |
3 | Ukraina | 3 fitore | 2 humbje | |
4 | Bellorusia | 2 fitore | 3 humbje | |
5 | Kosova | 1 fitore | 4 humbje | |
6 | Zvicra | 0 fitore | 5 humbje |