MEDIA
Mediat e rajonit për trajnerin e ri të Kosovës
14 August, 2018 @15:08
Mediat kroate kryesisht, kanë raportuar të gjitha për përzgjedhësin e ri të Kosovës, Damir Mulaomerovic.
Mulaomerovic, që sot u zyrtarizua si përzgjedhës i ri i reprezentacionit të Kosovës, është bërë lajm në disa media të rëndësishme kroate, TPortal, Basketball, Vecernji, SportNet RTL, por edhe në ato boshnjake e serbe.
Ndër të tjera, Basketball/HR ka shkruar se Kosova para Mulaomerovicit ka kontaktuar me trajnerin Veljko Mrsic, i cili ka falenderuar për interesim por nuk e ka pranuar postin e përzgjedhësit të Kosovës.
Mrsic, që nuk ka pranuar postin e përzgjedhësit gjithnjë sipas mediave kroate, së fundi ka punuar në elitën e basketbollit spanjoll, duke drejtuar Bilbaon, ndërsa vite me radhë ka qenë trajner i ekipit kampion të Kroacisë dhe më të fortit financiarisht, Cedevita.
Damir Mulaomerovic njashtu bëhet e ditur se ka nënshkruar kontratë 1 vjeçare me FBK-në, ndërsa do të drejtojë vendin tonë në fazën e dytë parakualifikuese për Eurobasket 2021. Ato gjithashtu kanë bërë të ditura se Mulaomerovic në vitin e fundit ka qenë i papunë.
Kosova gjendet në Grupin B parakualifikues me kundërshtarë si Maqedonia dhe Rumania.
Kosova më 13 shtator pret Maqedoninë në Prishtinë, ndërsa më 29 nëntor udhëton në Rumani. Më 2 dhjetor udhëtohet në Shkup për ndeshjen e parafundit, ndërsa cikli kualifikues mbyllet në Prishtinë më 24 shkurt 2019, kur Kosova pret Rumaninë.
Nga ky grup, por edhe të tjerat të fazës së dytë parakualifikuese për Eurobasket 2021, vetëm fituesi i grupit shkon në fazën kualifikuese të kampionatit të radhës europian.