GRUPI A: HOLANDA - EKUADORI
Ekuadori s’mposhtet, ndalë Holandën
25 November, 2022 @19:01
Holanda dhe Ekuadori kanë barazuar në Khalifa International, ndërsa me këtë rezultat është vulosur eliminimi i Katarit nga garat e mëtutjeshme në Botëror. Të dyja skuadrat nga kjo ndeshje janë me katër pikë aktualisht, ndërsa Senegali është i treti. Ekuadori e Senegali pritet që të përcaktojnë ekipin e dytë të kualifikuar nga grupi, pasi që Holanda pritet të ketë punë të lehtë ndaj Katarit.
Cody Gakpo i dha epërsinë Holandës në fillim të ndeshjes, kur në minutën e gjashtë shënoi pas një pasimi të Davy Klaassen që shfrytëzoi një top të humbur nga mbrojtja ekuadoriane. Përgjigjja e Ekuadorit ishte e ngadalshme por edhe kur vinte, ndalej nga Virgil Van Dijk.
Jugamerikanët realizuan për barazim, por goli i tyre u anulua pak para fundit të pjesës së parë, pasi që Pervis Estupinan u gjend në pozitë jashtë loje gjatë shënimit! Ka qenë Jackson Porozo që qëndronte para portierit holandez Andries Noppert, që bëri të anulohet goli i ekuadorianëve.
Por kërkimi i golit u shpagua për latinoamerikanët. Shuti i fuqishëm i Gonzalo Platas bëri që topi të shfaqet para predatorit Enner Valencia, që me golin e tretë këtë Botëror, i siguroi barazimin Ekuadorit, Holanda 1-1 Ekuadori [Cody Gakpo 6 - Enner Valencia 49].
Pas golit Holanda u desht të durojë euforinë e kundërshtarit, të cilën arriti ta menaxhojë deri në fund, për të siguruar barazimin që i jep gjasa të mëdha për kalim tutje.