KTHEHEN NË SHTËPI

Fotot: KFFerizaji/fb
Ferizaji mbyll përgatitjet me bilanc pozitiv
29 January, 2023 @20:04
Ferizaji ka kryer sot fazën përgatitore jashtë vendit. Ekipi pas ndeshjes së luajtur ndaj Tikvesit është kthyer për në shtëpi, pas dy javëve qëndrim në zonën e Dojranit të Maqedonisë Veriore.
Ekipi është duke kërkuar mbijetesën në Superligë këtë stinor, ndërsa ka mbyllur vjeshtën në pozitën e fundit të renditjes tabelare me 13 pikë nga 18 ndeshje të luajtura.
Sa i përket fazës përgatitore, futbollistët nën urdhërat e Andrej Panadicit kanë arritur të shënojnë tre fitore dhe të regjistrojnë dy humbje në pesë ndeshjet miqësore-kontrolluese aty.
Në përballjet me ekipet e elitës së futbollit maqedonas Ferizaji ka mposhtur Pobedën 1-0, ndërsa është mposhtur nga Tikvesi 1-0. Ndërsa në duele me ekipet e kategorisë së dytë të Maqedonisë Veriore, Ferizaji ka mposhtur Belasicën 2-0, Teteksin 1-0, kurse është mposhtur nga Detoniti 1-0.
Garat në futbollin kosovar, për pjesën pranverore të stinorit, vazhdojnë pas dy javësh. Ndërsa ekipi ka bërë të ditur se deri sa të nisin ndeshjet e pjesës së dytë të stinorit do të vazhdojë me përgatitjet finale në Kosovë.
Ndeshjet miqësore dhe rezultatet e arritura:
Ferizaji 1-0 Pobeda [Drilon Islami]
Ferizaji 0-1 Detonit
Belasica 0-2 Ferizaji [Albin Krasniqi, Mateo Panadic]
Ferizaji 1-0 Teteks [Dardan Qerkini]
Tikves 1-0 Ferizaji.