MË 10 TETOR
FFK konfirmon miqësoren e Kosovës
25 September, 2015 @21:11
Federata e Futbollit të Kosovës orë më parë përmes një E-Maili ka konfirmuar se ka aranzhuar miqësoren për përfaqësuesen e Kosovës ndaj përfaqësueses afrikane, Guinea Ekuatoriale.
Ndeshja është paraparë që të zhvillohet në Prishtinë më 10 tetor me fillim në ora 15:00 ka bërë të ditur në njoftimin e saj FFK-ja.
“FFK ka arritur marrëveshje për aranzhimin e miqësores ndërkombëtare për përfaqësuesen A të Kosovës. Ndeshja ndërmjet përfaqësueses A të Kosovës dhe Guinesë Ekuatoriale do të zhvillohet më 10 tetor në Prishtinë në orën 15:00,” ka shkruar njoftimi saktësisht.
Guinea Ekuatoriale është aktualisht në pozitën e 62-të në renditjen e fundit mujore të FIFA-së. Ata do të përballen me Markonon në rrugën e tyre për kualifikim në Botërorin e radhës, para se të futen në fazën grupore.
Trajner i tyre është argjentinasi Esteban Becker.
Kosova kishte dështuar të aranzhojë miqësoren me Burkina Fason gjatë muajit të shkuar, pasi që këta të fundit nuk kishin pranuar të dërgojnë në Kosovë ekipin senior, por reprezentacionin U-23.