NGA KONFERENCA

BOROZANI/D.S.
Finalja zgjat 80 minuta
20 April, 2015 @15:29
Të ulur në mes të palestrës, kërkonin mbështjeje nga të gjithë, ndërsa trofeu i ligës ballkanike nuk duket larg.
“Janë 80 minuta lojë,” disa herë përmendi trajneri Marjan Ilievski gjatë konferencës për shtyp të sotme të ekipit bardhekaltër para finales së BIBL ndaj Rilskit.
“Ajo që do të bëjmë nesër është vetëm pjesa e parë e finales,” ka shtuar trajneri maqedon i Prishtinës, që bëri të ditur se ka qenë vjet në Final Four 2014 të BIBL dhe ka bërë tifozllëk për Prishtinën në ngjarjen që u organizua në kryeqytetin tonë.
“Sot jam krenar që jam pjesë e ekipit që ka arritur finalen dhe ne do të bëjmë gjithçka për të arritur më të mirën për ekipin. Të lënduar nuk ka. Basketbollistët janë të përgatitur maksimalisht,” ka vazhduar ai, derisa ka bërë të ditur se përkundër 3 ndeshjeve të zhvilluara në 4 ditët e javës së kaluar, ekipi ka bërë një lloj rotacioni si për provë ashtu edhe për kursim të lojtarëve.
Përveç Ilieveskit, në konferencë për shtyp kanë folë edhe kapiteni i skuadrës Edmond Azemi, pastaj kreu i klubit Blerand Stavileci, drejtori Florian Miftari dhe kryetifozi i skuadrës Albert Kastrati.
Ky i fundit ka premtuar koreografi të paparë, që mbetet të shihet nesër, pasi që është befasi.
Kurse kreu i klubit, Stavileci, përveç tjerash ka thënë se me përfundimin e stinorit 2014/15 do të diskutohet se në cilën garë ndërkombëtare do të paraqitet Prishtina, duke përmendur këtu edhe Eurochallenge por edhe BIBL.
E kapiteni ka ftuar që palestra të mbushet përplotë.