DRITA - BALLKANI

Foto: FC Drita
Fitore e madhe ndaj Dritës, Ballkani i pandalshëm në pranverë
26 February, 2022 @14:58
Një fitore shumë e madhe në luftë për titullin kampion për Ballkanin në udhëtim te Drita sot!
Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja këtë takim e mbylli me fitore 0-1 (Theophilus Solomon 70’), për ta vazhduar kështu bilancin 4 fitore në 4 ndeshjet e zhvilluara në stinorin pranveror të Superligës.
Pjesa e parë mes skuadrave u mbyll pa gola, ndërkohë që gjatë kësaj pjese Drita u detyrua ta largojë nga loja Arbnor Mujën e lënduar (41’), e në vend të tij hyri Almir Kryeziu.
Në pjesën e dytë, fitoren Ballkanit ia solli zëvendësuesi Theophilus Solomon. Ai u inkuadrua në lojë në minutën e 65’ të ndeshjes e golin e gjeti 5 minuta më vonë, kur shënoi për 0-1 pas asistimit nga Bajram Jashanica prej krahut të djathtë.
Për Solomon ky i sotmi ishte goli i pestë sezonal, ndërsa 3 prej golave të tij ia ka shënuar Dritës. Kujtojmë që në ndeshjen e luajtur në nëntor, kur Ballkani e mposhti 2-0 Dritën, Solomon kishte shënuar dy herë.
Rezultati i arritur sot bën që Ballkani tashmë t’i ikë 4 pikë Dritës, ndërkohë që mes tyre ndodhet Gjilani.
Nëse flasim për statistika, kjo është hera e tretë që Drita nuk arrin të fitojë ndaj Ballkanit në këtë sezon të Superligës. Dy prej tri takimeve mes tyre sivjet i ka fituar Ballkani, e një takim është mbyllur me barazim.
Xhiron e ardhshme, Drita i shkon Drenicës në Skenderaj, kurse Ballkani e pret Llapin.