BALLKANI 2-0 DRITA
Theo Solomon vendos derbin, Ballkani lider
6 November, 2021 @15:46
Sulmuesi nigerian i Ballkanit, i ardhur këtë verë te ekipi suharekas, Theo Solomon, është treguar vendimtar në përballjen që ekipi i tij e fitoi ndaj nënkampiones aktuale të Kosovës, Dritës.
Solomon ka shënuar dy herë dhe shpejtë (brenda katër minutave) në fillim të pjesës së dytë të ndeshjes për t’i dhënë fund dilemave të fituesit të derbit të xhiros në Superligë. Ballkani - Drita 2-0 [Theofilius Solomon 54, 58]. Në golat e tij Solomon njëherë u asistua nga Edvin Kuc, ndërsa në të dytin nga Bajram Jashanica.
Ballkani ka qenë më dominues me raste në pjesë të parë, por që golat nuk erdhën. E në pjesë të dytë Solomon ka kryer punë për t’i dhënë fitore ekipit të Bekim Isufit, që në xhiron e shkuar përjetoi humbjen e parë të stinorit.
Drita pas golave të pranuar është hedhur në sulm, por në rastet që i pat, portieri Stivi Frashëri ka reaguar mirë, ndërsa krejt në fund të duelit zëvendësuesi dhe rekord-transferi i Superligës Muharrem Jashari mori karton të kuq, për të mbyllur kështu agoninë e gjilanasve sot, me dhjetë lojtarë, kokulur dhe me humbjen e tretë të stinorit.