Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

TRIUMFOJNË!

Fitore komode e 2 Korrikut

Fitore komode e 2 Korrikut


Teksti dhe foto: 2korriku.com

30 September, 2023 @18:50

Edon Zeçiri me golin nga penalltia dhe Enes Duraku me golin me kokë i kanë mjaftuar 2 Korrikut për ta arritur kuotën e 11 pikëve pas 6 xhirove në rangun e dytë të garave në futbollin kosovar.

Ndonëse me paraqitje jo-bindëse dhe me mungesa si ajo e kapitenit Andi Oruqi (i suspenduar) dhe Riad Jasharit (i lënduar), 2 Korriku ka arritur që ta kaloj një kundërshtar si Vllaznia, që thënë të drejtën nuk tregoi thuajse asgjë në të dyja fraksionet e ndeshjes, për çka ia lehtësoi vendësve që ta arrijnë fitoren e tretë në edicionin e ri të garave.

Në përgjithësi, ndeshja u zhvillua me ritëm të ngadaltë, me ekipin e 2 Korrikut që në fillim e pa veten më kërkues, madje shumë lehtë ka mundur që të kaloj në epërsi, gjithnjë sikur të konkretizoheshin rastet si goditja me kokë e Albert Stubllës, apo edhe goditja e Edon Zeçirit pas topit të fituar në mbrojtjen mysafire në minutën e 16’.

Krejt “keq” nuk ia lanë as mysafirët, madje Tette për pak sa nuk e shfrytëzoi gabimin e Albert Stubllës në minutën e 16’, por për fatin e tij të keq goditi lehtë dhe topi përfundoi në duart e të rikthyerit në portën “verdheblu”, Arnis Ajetit – paraqitje shumë e mirë e tij.

TABELA AKTUALE

Pjesa e parë nuk dha më shumë; fokusi kaloi tek e dyta, ku u panë dy gola, por sërish pa lojë të bukur e me shumë pak raste. 2 Korriku pati mundësinë që të kaloi në epërsi me Stubllën që pa veten në pozitë për të shënuar pas harkimit nga Hamidi, por topi shkoi shumë pak centimetra mbi portë.

Sidoqoftë, momenti i “të vërtetës” erdhi; Enes Duraku, në minutën e 67’, me luftën e tij të pakompromis, shfrytëzoi reagimin e vonshëm të portierit Prince, të cilit ia “vodhi” topin e u faulua në zonën e rreptësisë, për çka edhe fitoi penallti – në gol e konkretizoi Edon Zeçiri me shumë qetësi (goli i dytë për të në fanelën e 2 Korrikut).

2 Korriku nuk u ndal me kaq; harkimin fenomenal të futbollistit Jehon Stublla e shfrytëzoi për mrekulli Enes Duraku, që me shkëputje të hatashme erdhi në pozitë të volitshme dhe goditi me kokë fuqishëm për 2:0.

Deri në fund të ndeshjes vendësit patën mundësinë që të shënojnë sërish, por Bejta i vetëm me portierin nuk arriti që ta trefishojë rezultatin. Ndërsa, në anën tjetër, nga Vllaznia nuk pati më diçka nga loja, përkundër disa tentimeve për të sulmuar në minutat e fundit.

Për ekipet e Viva Fresh Ligës së Parë, pas kësaj xhiroje, nuk do të ketë shumë pushim, me të njëjtat që do të kthehen në aksion në të mërkurën e 4 Tetorit; 2 Korriku ‘udhëton’ për në “Xhemail Ibishi” – do të ndeshet me Prishtinën e Re.

—-

Xhiro VI

2 Korriku – Vllaznia 2:0 (0:0)

Gjyqtarët e ndeshjes: Ilaz Ajeti, Imran Kabashi, Bajram Kabashi

Delegati i FFK-së: Naim Krasniqi nga Peja

Vëzhguesi i referimit: Erduan Baliqi nga Mitrovica

Formacioni startues i 2 Korrikut: Arnis Ajeti, Albert Stublla (Ideal Abdullahu 67’), Abit Salihu, Agron Beqiri, Jehon Stublla, Ylli Prekopuca © (Redon Bejta 67’), Gneilpekan M. Camara, Edon Zeçiri (Milot Hyseni 86’), Enes Duraku, Ardit Gashi (Granit Latifi 90’), Shqiprim Kelmendi (Londrit Hamidi 46’). Kryetrajner: Besim Ademi.

Formacioni startues i Vllaznisë: Marly. P. H. Koubassanath, Erblir Avdiu (Lorik Kasa 77’), Arianit Guri, Taulant Ajeti, Henry A. Onoka, Zgjim Mustafa, Elbasan Jakupi, Endrit Muqa (Ernis Topalli 77’), Alban Rexhepi (Xhenti Gerbovci 86’), Daniel Tette, Florent Molliqaj (Shkumbin Haliti 86’). Kryetrajner: Erdin Hashani.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Liga e parë