DRITA - ULPIANA

Foto: FC Drita
Fitore në kohën shtesë, Drita momentalisht në krye
11 December, 2021 @15:08
Në ndeshjen e zhvilluar sot në Gjilan, Drita vendase ka arritur ta mposhtë Ulpianën me rezultat 3-1 (Arbnor Muja 40’, Astrit Fazliu (P) 90+3’, Marko Simonovski 90+10’ / Egzon Qerimi 51’), për ta mbyllur kështu stinorin vjeshtor me fitore.
Deri në minutën e 40’ portat nuk u prekën, e më pas ndeshja dhuroi 3 gola.
Pas asistimit nga Ilir Blakçorit në minutën e 40’, i saktë para portës mysafire u tregua Arbnor Muja, i cili shënoi për 1-0 dhe e dërgoi Dritën në pushim mes pjesëve me epërsi minimale.
Pjesa e dytë filloi mirë për Ulpianën. Në minutën e 51’, Egzon Qerimi i Ulpianës realizoi për 1-1, për ta rihapur kështu ndeshjen. Asistues te ky gol ishte Kastriot Rapuca.
Për fatin e keq të Ulpianës, Drita nuk u dorëzua deri në fund dhe arriti që të shënojë dy herë në fund të takimit. Astrit Fazliu nga pika e bardhë (90+3’) dhe Marko Simonovski me kokë (90+10’) e gjetën rrjetën mysafire dhe kështu ndeshja u mbyll me fitoren e Dritës.
Rrjedhimisht, Drita momentalisht është lidere e Superligës, të paktën derisa të mbyllet takimi i nesërm mes Ballkanit dhe Gjilanit, kurse Ulpiana në pushim dimëror shkon me 18 pikë të tubuara pas po aq ndeshjeve të luajtura.