VËLLAZNIMI - FERONIKELI
Fitore në sekondat e fundit, Feronikeli fiton Kupën e Ligës së Parë
3 March, 2019 @13:49
Feronikeli është fituesi i edicionit të parë të Kupës së Kosovës në Ligën e Parë të basketbollit!
Skuadra nga Drenasi me mund të madh arriti ta fitojë ndeshjen e sotme ndaj Vëllaznimit, ndeshje e cila ishte tejet interesante dhe fituesi u vendos në sekondat e fundit të përballjes.
Për dallim nga takimi në ligë i luajtur pak javë më parë, sot skuadra e Vëllaznimit zhvilloi paraqitje më të mirë dhe e rivalizoi fuqishëm Feronikelin, duke mbajtur një epërsi të lehtë përgjatë gjithë takimit, mirëpo në momentet vendimtare të ndeshjes, ishte skuadra nga Drenasi ajo që u tregua më e përqëndruar dhe arriti ta fitojë këtë finale.
Epërsia e Vëllaznimit qëndroi deri rreth 3 minuta pa përfunduar ndeshja, e më pas në minutat e mbetura epërsia kalonte herë te njëra skuadër e herë te tjetra.
Kur kishin mbetur 6 sekonda pa përfunduar ndeshja dhe rezultati shënonte 80-79 në të mirë të Vëllaznimit, Beqë Kovaqi i Feronikelit u tregua i saktë në dy gjuajtjet e tij të lira, për t’ia dhënë epërsinë 1 pikëshe skuadrës së tij, ndërsa në akcionin e fundit të ndeshjes, Edmond Kryeziu i gjakovarëve u tregua i pasaktë në gjuajtjen për 2 pikë, duke bërë që ndeshja të mbyllet me fitoren e Feronikelit me rezultat minimal 80-81 (24-22, 22-18, 12-15, 22-26).
Duhet përmendur që pjesë e ekipit të gjakovarëve sot nuk ishte Atik Koshi, mungesa e të cilit ishte e dukshme.
Më të dalluarit te gjakovarët, tek të cilët sot minutazh patën vetëm 6 lojtarë, sot ishin Edmond Kryeziu me 25 pikë, 6 kërcime e 2 asistime dhe Taaj Ridley me 21 pikë, 5 kërcime e 4 asistime, derisa pranë shifrave-triple double ishte Arion Balluku (14 pikë, 12 kërcime, 9 asistime). Te skuadra nga Drenasi koshashënuesi më i mirë sot ishte Mustafë Merovci me 20 pikë, 9 kërcime e 1 asistim, ndërsa vendimtarë në çerekun e fundit me shënimet e tyre ishin Sami Hajzeri dhe Beqë Kovaqi.
Kujtojmë që për ta arritur finalen Vëllaznimi e kishte mposhtur Istogun, kurse Feronikeli skuadrën e Penzës.