SZOLNOKI OLAJ - PRISHTINA
Fitorja e parë e hungarezëve, rrëzon Prishtinën
30 January, 2019 @20:23
Prishtina ka humbur përballjen e parafundit të fazës së dytë grupore të FIBA Europe Cup sonte.
Bardhekaltërit kanë qenë mysafir të Szolnokut në Hungari dhe janë mposhtur me 13 pikë dallim, 89-76 [20-23, 20-19, 19-17 dhe 30-17].
I tërë mundi i bardhekaltërve që shkoi barabartë gjatë gjithë ndeshjes me hungarezët, ra në ujë pas paraqitjes tepër të mirë të vendasve në çerek të fundit, kur edhe bënë dallimin kryesor për të arritur te fitorja e parë e tyre në grup.
Kjo fitore, përveç që ishte e para për Szolnokun, edhe eliminoi Prishtinën nga garat e mëtutjeshme dhe tashmë bardhekaltërit në përballjen e fundit ndaj Karsiyakës do të luajnë sa për prestigj, ose mundësisht për t’i ikur vendit të fundit në klasifikim, ku janë katandisur tani.
Performancat individuale
5 basketbollistë të ekipit hungarez përfunduan ndeshjen me pikë dyshifrore, ndërsa më efikasi ka qenë reprezentuesi David Vojvoda që ka shënuar 19 pikë, 4 asistime dhe 3 kërcime.
Më i vlefshmi në ekipin e Szolnokut është treguar serbi Nemanja Milosevic, që ka shënuar 14 pikë, 8 kërcime e 5 asistime në këtë fitore të skuadrës së tij.
Në anën tjetër te Prishtina më efiaksi ka qenë Dardan Berisha. Ai ka shënuar 31 pikë (3/12 për tre pikë), ka shtuar 8 asistime dhe ka bërë 4 kërcime në humbjen e ekipit.
Khalid Boukichou ka përfunduar ndeshjen me double-double, duke shënuar 11 pikë e 14 kërcime, ndërsa lojtari tjetër që ka arritur pikë dyshifrore për skuadrën e Damir Mulaomerovic ka qenë Kyan Anderson, që shënoi 10 pikë e 7 asistime në këtë ndeshje.
Eliminimi dhe tabela aktuale
Me këtë humbje, Prishtina është eliminuar nga garat në sezonin ku për herë të parë arriti që të sigurojë fazën e dytë grupore të FIBA Europe Cup [më e mira për një ekip kosovar].
TABELA AKTUALE E GRUPIT I:
1 | Wurzburg (GjER) | 5-0 | ||
2 | Karsiyaka (TUR) | 3-2 | ||
3 | Szolnoki (HUN) | 1-4 | ||
4 | Prishtina (KOS) | 1-4 |