EDHE LOSHAJ NË STAMBOLL

Florian Loshaj, duke pozuar për ekipin e tij të ri/ Fotot: Istanbulspor/ tw
Florian Loshaj me kontratë afatgjate te Istanbulspor
4 February, 2023 @18:27
Futbollisti i Kosovës, Florian Loshaj, është anëtar i ri i ekipit nga Stambolli, Istanbulspor.
Skuadra turke që garon në elitën e futbollit turk, ka zyrtarizuar sot marrëveshjen me reprezentuesin e Kosovës dhe ka bërë të ditur se ka arritur marrëveshje 4.5 vjeçare me mesfushorin në fjalë.
“Transferi ynë i ri, Florian Loshaj, ka nënshkruar me kryetarin e klubit tonë marrëveshjen 4.5 vjeçare për të qenë pjesë e ekipit,” ka bërë të ditur skuadra verdhezi nga Stambolli.
Djaloshi nga Skenderaji, luan në qendër të mesfushës dhe ka cilësi ofanzive në ekip. Ai së fundi ka qenë pjesë e ekipit polak, Cracovia. Këtë stinor në Ekstraklasa të Polonisë ka regjistruar 15 paraqitje, duke shënuar një gol dhe duke regjistruar një asistim.
Loshaj është 26-vjeçar dhe në Istanbulspor do të gjejë kontigjentin e shqiptarëve aty që përbëhen nga Jetmir Topalli, Sidrit Guri dhe Eduard Rroca.