DRENICA BEFASON FERIZAJIN!

Foto: FCDrenica/ fb
Fofana dërgon Drenicën në gjysmëfinale
26 February, 2025 @15:17
Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë, Mohamed Ange Fofana, ka shënuar golin e vetëm në ndeshjen e “nxehtë” mes liderit aktual të Grupit A të Ligës së Parë Drenica dhe Ferizajit të Superligës, për t’ia siguruar kuqezinjëve nga Skenderaji kalimin në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës.
Fitorja e Drenicës mund të llogaritet edhe si befasi, duke ditur formën që ka kapur Ferizaji në Superligës, mirëpo djelmoshat e drejtuar nga Arsim Thaçi kanë menaxhuar mirë ndeshjen pas golit të hershëm të shënuar për të kaluar tutje në Kupë, Drenica - Ferizaji 1-0 [Mohamed Fofana 13’].
Drenica mbylli ndeshjen me një lojtar më pak në fushë, pasi që Auron Hamiti mori dy kartonë të verdhë, me të dytën në minutën e 61-të të ndeshjes, për ta kaluar ekipi në vështirësi pjesën e mbetur të duelit.
Sidoqoftë, deri në fund Ferizaji nuk arriti të shënojë dhe kështu ekipi i Superligës nuk ka arritur të ndalë atë të Ligës së Parë në çerekfinale të Kupës. Drenica tash pret shortin e Kupës, ndërsa aty do të luajë në sistemin vajtje-ardhje për të kërkuar finalen e garës.