ÇEREKFINALET: ANGLIA - FRANCA
Franca eliminon Anglinë, pas penalltisë së humbur nga Kane!
10 December, 2022 @22:15
Kampioni aktual i Botës, Franca, ka mposhtur Anglinë në çerekfinalen e fundit të Botërorit të Katarit, për të siguruar gjysmëfinalen. Aty gjelat do të ndeshen me Marokun, që është duke shkruar historinë e vendit dhe të afrikanëve.
Goli i parë i Francës erdhi nga Aurelien Tchoumameni, që shutoi bukur për të shënuar për avantazh. Prej atij momenti në fushë dominoi Anglia, si me raste ashtu edhe me posedim, por francezët rezistuan në secilën mënyrë, ndërsa referi kryesor i ndeshjes Wilton Sampaio do të mbahet në mend për vendimet e çuditshme që i shkonin për shtati francezëve.
Anglia arriti barazimin në fillim të pjesës së dytë, kur Harry Kane shënoi penalltinë e fituar nga Bukayo Saka. Anglia vazhdoi të kërkonte golin, ndërsa Franca në një rast arriti të shënojë përmes rekord-shënuesit të tyre, Olivier Giroud, në një goditje me kokë që paksa preku edhe Harry Maguire’in.
Mundësia për të neutralizuar rezultati u shfaq përsëri. Referi kryesor që nuk dha penallti, u ftua nga VAR për ta vërtetuar dhe e dha penalltinë. Por kësaj radhe Kane shutoi lart mbi portë, për tu mbyllur ndeshja pas 10 minutave shtesë me edhe një rast të mirë të Marcus Rashfordit me përfundimtaren, Anglia 1-2 Franca [Harry Kane 54pen. - Aurelien Tchouameni 17, Olivier Giroud 78].