GRUPI D: FRANCA - DANIMARKA
Franca s’lejon befasi, fiton dhe siguron 1/8 e finales
26 November, 2022 @18:56
Dy fitore në dy ndeshjet e para për kampionin në fuqi të Botës në Botërorin e Katarit.
Pasi e mposhti bindshëm Australinë, sonte Franca e mposhti 2-1 Danimarkën, për ta siguruar kështu kalimin e grupeve një xhiro pa u mbyllur grupi.
Pas një pjese të parë jo edhe me shumë raste për t’u veçuar, ndeshja u bë më e gjallë në pjesën e dytë.
Griezmann shpërdoroi një mundësi të mirë për shënim, ndërkohë në ca raste të tjera Schmeichel tregoi cilësitë e tij, para se goli i francezëve të vinte.
Një akcion të nisur nga Tchouameni, që sonte ishte mjaft i mirë, e finalizoi mjaft mirë dyshja Hernandez - Mbappe nga krahu i majtë. Ishte këmbëshpejti Mbappe ai që e çoi topin në rrjetë pas asistimit nga Hernandez dhe kështu Franca mori epërsinë 1-0 (61’).
Pak zgjati gëzimi i francezëve. Në paraqitjen e tij të 60-të me kombëtaren daneze, Andreas Christensen shënoi me kokë për 1-1 në minutën e 68’.
Më pas, 20 minutat e fundit të ndeshjes ishin tejet atraktive. Të dyja skuadrat patën mundësi për shënim dhe të dyjat luajtën për fitore, por atë e arriti vetëm Franca. Në minutën e 86’, krosimin fantastik të Griezmann, në portë e çoi Kylian Mbappe dhe kështu Franca arriti ta mbyllë këtë takim me fitore.
Me dy golat e shënuara sot, Mbappe arrin shifrën ei 31 golave personale me kombëtaren franceze, një shifër e jashtëzakonshme për një 23-vjeçar.
Në ndeshjet e fundit të grupit, Danimarka përballet me Australinë, kurse Franca luan me Tunizinë. Të dyja ndeshjet luhen më 30 nëntor.