MEHMEDI
FSHF kujtohet vonë
8 July, 2014 @14:06
Sulmuesi që luan për përfaqësuesen e Zvicrës, me origjinë nga Gostivari, Admir Mehmedi, ka lansuar kritikat e tij drejt Federatës së Futbollit Shqiptar.
Sipas njoftimit të lëshuar nga Panorama Sport, që transmeton intervistën e tij për Lajm, Mehmedi ka thënë se Federata Shqiptare e Futbollit, kujtohet vonë për shqiptarët jashtë vendit.
“Nuk kam marrë asnjë ftesë nga Shqipëria. Mendoj se FSHF-ja duhet t’i ndjekë talentet shqiptarë qysh në moshë të re dhe jo pasi ata të rriten dhe të zgjedhin Kombëtaren. Nuk mund të kujtohen kaq vonë për të fituar dhe kjo nuk do të ishte korrekte edhe nga Zvicra në rastin tonë,” është cituar të ketë thënë sulmuesi i Freiburgut.
Ai gjithashtu është shprehur se ka qenë i lumtur me golin e tij të shënuar në Botëror dhe nuk e ka ditur se është shqiptari i parë që ka shënuar në Kupë të Botës.
“Këtë ma treguan shokët, pas ndeshjes,” ka thënë Mehmedi.
Lojtarët me origjinë shqiptare janë kritikuar mjaft nga opinioni pse nuk kanë përqafuar kombëtaren shqiptare dhe kanë zgjedhur një tjetër.
Zvicra në përfaqësuesen e saj pjesëmarrëse në Botëror ka pasur 5 shqiptarë në ekip. Derisa ata me paraqitjen e tyre për helvetët kanë mbledhur respekt të madh në mbarë botën, duke cekur gjithmonë rrënjët e tyre shqiptare.