REAGIMI I SHGSK
FSHF s’akrediton mediat kosovare
7 October, 2015 @21:13
Shoqata e Gazetarëve Sportiv të Kosovës (SHGSK) ka reaguar ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) për shkak të neglizhecës së kësaj të fundit ndaj mediave kosovare.
FSHF ka vazhduar me avazin e vjetër duke krijuar vështirësi për shtëpitë mediale nga Kosova, derisa ka bërë përjashtim në një rast të vetëm.
Për këtë ShGSK-ja ka reaguar me këtë letër për opionin:
“Shoqata e Gazetarëve Sportiv të Kosovës shpreh indinjimin për mosakreditimin e medieve kosovare, nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit, për takimin Shqipëri-Serbi, me përjashtim të një medieje të caktuar. Ky trajtim i medieve kosovare nga FSHF-ja është i papranueshëm për SHGSK-në. Propagandimi se “jemi një” dhe promovimi i bashkimit për Kombëtaren bien ndesh me veprimet e Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila është dashur t’iu përgjigjet pozitivisht kërkesave të gazetarëve nga Kosova, për akreditim në ndeshjen e 8 tetorit. Jemi të vetdijshëm për interesimin e madh medial nga mbarë Europa për këtë ndeshje, por FSHF-ja, krahas medieve të tjera të huaja, ka mundur të bëj selektimin edhe të disa prej medieve kosovare dhe t’iu lejohet prania në ndeshje,” ka shkruar në reagimin e saj ShGSK-ja.