BASHKIMI - PEJA

TOPSPORTI/ Arian Paçarizi
Bashkimi fiton derbin e Dukagjinit
7 December, 2019 @20:24
Një derbi i vërtetë u luajt në Sezai Surroi të Prizrenit, ndërsa mijëra shikues në sallë nën brohoritjet e Arpagjikëve çuan Bashkimin drejt fitores së radhës në Superligë, ndaj rivalit të vjetër, Pejës.
Portokallezinjtë përkundër se nisën më mirë takimin, në pushimin mes pjesëlojëve shkuan në disavantazh.
Peja zhvilloi një çerek të dytë fenomenal dhe shkriu epërsinë 13-11 nga çereku i parë i ndeshjes për të fituar në të dytin 17-24 dhe në pushimin e pjesëlojëve semafori figuronte 30-35 në të mirë të verdhezinjëve të drejtuar nga Jeronimo Sarin, ish-trajner i Bashkimit.
Sidoqoftë, Bashkimi nën drejtimin e Illmen Bajrës po merr krahë kah fundi i ndeshjes dhe kështu ndodhi edhe sonte.
Me lojë të mirë të Terik Bridgemanit, që shpesh çonte publikun në këmbë me ngulitjet e tij, me pikët e papritura të Elvan Iljazit dhe me 17 pikë të shënuara nga Ujkan Karanezi, Bashkimi fundin e ndeshjes e priti qetë, pasi që në 3 minutat e fundit epërsia e tyre sillej rreth shtatë, por nuk rrezikohej nga pejanët për përfundimtaren 75-67 [13-11, 17-24, 27-16 dhe 18-16].
Më efikasi te Bashkimi ishte Karanezi. Ai përfundoi takimin me 17 pikë, 8 kërcime e 3 asistime. Amerikani Bridgeman dha 16 pikë, 8 kërcime e 3 asistime, ndërsa pikë dyshifrore shënuan edhe Stevie Clark e Corey Ross, 12 përkatësisht 10.
Te Peja, që kishte rastet e veta, shpeshherë topi nuk hynte në kosh. Tentimet e lojtarëve të tyre nuk shndërroheshin në pikë, derisa basketbollisti i vetëm që i shkonte gjithçka sonte ka qenë Henrik Sirko.
Sirko u bë lojtari i vetëm i Pejës me pikë dyshifrore të shënuara. Kroati dha 22 pikë, 12 kërcime e 4 asistime. Por ndihma nga pjesa tjetër e ekipit nuk ishte e mjaftueshme për të bërë më shumë.
Me këtë fitore, Bashkimi barazohet aktualisht me liderin në pikë dhe vreshtarët vetëm falë koshdallimit mbajnë kryesimin.
Peja me humbje, neutralizon bilansin në 7 me 7.