HAJDIN SALIHU

Hajdin Salihu flet në konferencë pasi la Kosovën për Shqipërinë
26 March, 2021 @20:36
Qendërmbrojtësi i talentuar, Hajdin Salihu, sot ishte prezent në konferencën për shtyp të organizuar nga kombëtarja U21 e Shqipërisë.
Futbollisti llapjan i cili më parë ka qenë i grumbulluar me grupmoshat e reja të Kosovës U17, U19 dhe U21 së fundi ka vendosur ta ndërrojë ekipin përfaqësues për t’iu bashkuar kuqezinjve.
“Ftesën e Kombëtares shqiptare e kam pritur shumë emocionalisht. Është kënaqësi të jesh pjesë e Kombëtares U-21 të Shqipërisë. Për mua është nder dhe krenari të vesh fanellën kuqezi. Besoj se çdo futbollist shqiptar e ka ëndërr të vëshë fanellën shqiptare,” tha Salihu.
19-vjeçari i skuadrës Lokomotiva Zagreb është grumbulluar për herë të parë me shpresat kuqezi, duke e pranuar ftesën e përzgjedhësit Alban Bushi për përgatitjet 10 ditore.
Ai gjithashtu foli edhe për grupin e Shqipërisë U21 në kualifikimet për EURO 2023, që formohet së bashku me Andorrën, Republikën Çeke, Anglinë, Kosovën dhe Slloveninë.
“Është një grup i mirë, djemtë më kanë pritur mjaft mirë. Jemi duke punuar dhe besoj se do i arrijmë objektivat së shpejti. Niveli i skuadrës është shumë i mirë. Djemtë janë lojtarë të mirë dhe të talentuar dhe besoj se do kemi rezultate shumë të mira,” tha ai.
Në Shqipërinë U21 përveç Salihut luan edhe kosovari tjetër, Altin Bytyçi.