FUTSALL
I rikthyer nga Belgjika, Bytyqi dërgon Liburnin në Evropë
1 June, 2017 @11:00
Suksesi i Liburnit në Ligë dhe në Kupë sivjet padyshim që ishte shumë special për Bekim Bytyqin, trajnerin që Liburnin e mori në drejtim nga vera e kaluar.
Bekim Bytyqi, dikur lojtari më i mirë në Kosovë në futsall, i cili më pas kishte shkuar në Belgjikë te skuadra e ‘Ford Genk’ dhe kishte marrë pjesë në 2 kampionate botërore të klubeve, ku mori disa çmime individuale dhe ekipore, në Gjakovë u rikthye nga Belgjika për ta drejtuar skuadrën e Liburnit drejt sukseseve.
Dhe kjo ndodhi. Liburni nën drejtimin e Bytyqit fillimisht e fitoi Kupën e Kosovës në muajin shkurt, ndërsa dje kjo skuadër u shpall kampione e Kosovës pas triumfit ndaj Feniksit pas 2 ndeshjeve të serisë finale.
Për dallim nga dy titujt e mëparshëm të Liburnit, ky titull ka rëndësi tejet të madhe pasi që skuadra gjakovare tashmë do të jetë pjesë e UEFA Futsal Cup, garë kjo ekuivalente me Champions Leaguen në futboll.
I rikthyer nga Belgjika me qëllimin e vetëm për ta shpallur Liburnin kampion dhe për ta arritur qëllimin e tij, pra që ta dërgoj ekipin e tij të qytetit në garat evropiane, Bytyqi në një deklaratë për Borozani.com u shpreh shumë i lumtur me suksesin e arritur si dhe tregoi që ndihet krenar që është ai trajneri i parë që e dërgon një ekip gjakovar në garat e nivelit evropian.