FUTBOLLISTI RI I KOSOVËS, BËHET PJESË E FERIZAJIT
I rritur te Servette, Erion Salihu prezantohet te Ferizaji
13 January, 2025 @16:09
Futbollisti i ri, 19 vjeçari Erion Salihu është prezantuar te Ferizaji si përforcim i ri i ekipit sot. Ekipi bardhekaltër ka bërë të ditur se ka arritur marrëveshje me lojtarin për të mbrojtur fanellat e ekipit të drejtuar nga Arsim Abazi këtë stinor.
“Erioni është vetëm 19 vjeç dhe ka një të ardhme shumë premtuese. Ai ka luajtur së fundmi me ekipin U19 të Servette në Zvicër, një klub i njohur për zhvillimin e talenteve të rinj. Përveç angazhimit me Servette, Erioni është pjesë e Kombëtares U19 të Kosovës, duke treguar potencialin e tij edhe në arenën ndërkombëtare,” ka bërë të ditur FC Ferizaji në njoftim.
Salihu që luan në pozitën e mesfushorit qendror dhe defanziv, është i lindur në Gjenevë të Zvicrës, ndërsa është majtak. Ai ka kaluar të gjitha grupmoshat e Servette, deri në U-19, ndërsa pas Zvicrës U-17 në moshën 18 vjeçare ka debutuar te Kosova U-19 ku ka katër paraqitje të regjistruara nën drejtimin e selektorit Adil Maliqi.
Ferizaji që këtë stinor u ngrit në Superligë, mision primar ka mbijetesën aty. Vjeshtën ekipi i Abazit e përfundoi në pozitë të tetë të tabelës, me 20 pikë nga 18 ndeshje. Ferizajasit kanë regjistruar 5 fitore, 5 barazime dhe 8 disfata në pjesën e parë të stinorit.