GRUPI A: UELLSI - IRANI
Irani tregon dhëmbët, mposht Uellsin në fundin dramatik
25 November, 2022 @14:11
Irani ka arritur fitoren e parë të Botërorit duke e mposhtur Uellsin në minutat e fundit të ndeshjes së sotme, për të siguruar tri pikët e para dhe për të mbetur në lojë për kualifikim tutje në Botëror.
Irani kishte humbur ndeshjen e parë të Botërorit nga Anglia thellë, 6-2, mirëpo ndaj Uellsit, posaçërisht në pjesë të dytë ata shfaqën një lojë shumë të mirë për të siguruar edhe fitoren, që mund të quhet e merituar në fund.
Uellsi mbeti me 10 lojtarë 4 minuta para fundit të kohës së rregullt të ndeshjes, kur portieri Wayne Hennessey bëri faul profesional për të ndalë një gol të Iranit, me ç‘rast edhe mori karton të kuq.
Në minutat shtesë Irani gjeti fitoren ndaj Uellsit me 10 lojtarë, kur zëvendësuesi Rouzbeh Cheshmi shënoi për 1-0, ndërsa Ramin Rezaeian vulosi fitoren për përfundimtaren Uellsi 0-2 Irani [Rouzbeh Cheshmi 90+8, Ramin Rezaeian 90+11].
Me këtë humbje ekipi i drejtuar nga Robert Page pësoi një goditje të madhe para ndeshjes së fundit të fazës grupore kur takohen me Anglinë. Ndërkaq iranianët e drejtuar nga portugezi Carlos Queiroz tashmë pritet që me amerikanët në duelin direkt të vendosin kush shkon tutje nga grupi.
Kieffer Moore kishte rastin më të mirë për Uellsin në pjesë të parë, ndërsa Iranit një gol u anulua nga VAR për shkak të pozitës jashtë loje, kur shënoi Ali Gholizadeh, njëjtë në pjesë të parë.