EKSKLUZIVE
Israel Martin, për një Trepçë të re
3 August, 2013 @13:36
Ish kampionja e Kosovës në basketboll, Trepça, ka arritur marrëveshje me trajnerin spanjoll Israel Martin. Martin, do të jetë spanjolli i parë që do të zbarkojë në historinë e basketbollit kosovar. Borozani.com ka bërë një intervistë ekskluzive me trajnerin e ri të mitrovicasve dhe ja planet e Martinit për stinorin e ri me Trepçën.
-Së pari prezentohuni para opinionit kosovar. Kush është trajneri Martin!?
Israel Martin: Pasi që në vitin 2000 përfundova edukimin basketbollistik të nivelit profesional në Federatën e Spanjës, arrita që të udhëhiqja me skuadrën e Tenerife Baloncesto në Golden LEB ligën (liga e dytë spanjolle, v.j.) e Spanjës për vite me radhë. Gjatë asaj kohe unë arrita që me ekipin tim të sigurojë kualifikimin me Play-Off për të hyrë në ligën elite të Spanjës, ACB (liga e parë spanjolle, v.j.). Pas kësaj unë kalova në klubin Canarias për një projekt tjetër aktraktiv. Klubi ishte në Silver LEB ligë (liga e tretë spanjolle, v.j.) dhe ne arritëm shumë gjëra të rëndësishme me skuadrën. Fituam Principe Cup dhe hymë në Golden LEB ligë. Ndërsa në stinorin 2011/12 ne hymë në elitën e basketbollit spanjoll, ACB ligë. Stinorin e fundit, duke pasur parasysh që kemi pasur buxhetin më të ultë në ligë, ne kemi arritur të përfundojmë në vendin e dhjetë, duke fituar institucionet e basketbollit në Spanjë si Real Madrid, Unicaja, Bilbao Basket, Joventut dhe Sevilla. Veten e konsideroj si njeri i hapur me çdokë dhe punojë tepër si trajner, duke qenë i uritur për të mësuar çdo ditë e më shumë. Mendoj se jam person me fat, pasi që kam arritur t’i bëj gjithë këto suksese hap-pas-hapi, prej ekipeve rinore e deri te niveli më profesional. E Israel Martin si njeri, është person që ka qejf të jetë me familjen e tij si dhe është tejet i afërt me të tjerët.
-Jeni trajner i parë spanjoll në basketbollin kosovar. Çka pritni nga Kosova, basketbolli i saj dhe pse Kosova?!
Israel Martin: Trepça ka qenë skuadra që ka treguar interesim më të madh për mua si trajner. Kam pasur oferta nga Austria, Polonia dhe Finlanda, por Trepça ishte skuadra që lëvizi më shpejtë se tjerët. Më duhet të pranoj gjithashtu se menaxheri i klubit mitrovicas, Besim Braha, ka luajtur rol të rëndësishëm duke më shpjeguar projektin dhe më ka bindur që të vijë në Kosovë. Pasi që arritëm marrëveshjen, ne kemi qenë në kontakt ditor me te duke biseduar lidhur me organizimin, ekipin dhe besoj që kemi bërë punë të mirë. Ai më ka thënë se shënjestra kryesore e ekipit është që të vazhdojë me procesin e zhvillimit të Trepçës si ekip.
-Çka pritni nga ekipi i juaj? Cilat janë synimet tuaja me Trepçën?
Israel Martin: Idea është që të udhëheq një projekt 3-4 vjeçar. Baza e projektit ka të bëj me punën rreth gjeneratave të reja të basketbollistëve kosovar nga klubi. Dua t’i marr gjërat seriozisht dhe profesionalisht. Do t’i kryejë detyra ditë pas dite, javë pas jave dhe ndeshje pas ndeshjeje. Synimi im është që të tregojë fuqinë e ekipit dhe të tregohem si trajner.
-Cilat janë të veçantat e juaja që do të bëjnë Trepçën të dallojë nga skuadrat tjera?
Israel Martin: Gjëja e parë që do të bëj është se do t’i intervistoj të gjithë stafin e trajnerëve të Trepçës, ashtu që të plotësohem edhe më me informata para se t’ia fillojë punës. Duhet të jem trajner mendjehapur ashtu që të ambientohem me vendin dhe rrethin e ri të punës. Më duhet të dizajnojë mënyrën e lojës me dijen dhe filozofinë time të basketbollit. Kam qejf të luaj basketboll dinamik dhe intenziv, ashtu që tifozët të kënaqen duke e shikuar dhe përkrahur Trepçën në çdo ndeshje. Më është thënë se Trepça ka tifozët më pasionant dhe elektrik në Kosovë dhe dua të pranojë se mezi pres që të lidhem me ata. Dua nga ata që të jenë tepër përkrahës ndaj ekipit ashtu që të llogarisim në çdo ndeshje te lojtari i ynë i gjashtë.
-Keni studiuar ekipin para se të vini në Kosovë dhe kur pritet që të ateroni në vendin tonë?
Israel Martin: Të punosh me Besim Brahën është e mrekullueshme pasi që kemi punuar në detaje duke i shikuar lojtarët një nga një. Kemi gjetur pozitat ku duhet të përforcohemi patjetër. Duhet të transferojmë një organizator, një alo dhe një qendër. Pasi që t’i kemi këta lojtarë, ne duhet të punojmë tepër shumë për të ndërtuar skuadrën kompetitive. Do të jem në Prishtinë të hënë pasdite për të filluar aventurën time të re në Mitrovicë.
-Çfarë kontrate keni nënshkruar dhe çka do të donit të shtonit në fund lidhur me eksperiencën tuaj të re?
Israel Martin: Kam nënshkruar kontratë 1+3 vjeçare (opcionale). Gjatë negociatave drejtuesit e Trepçës më kanë treguar se dëshirojnë të zhvillojnë një projekt afatgjatë dhe jam i kënaqur që po e marrë këtë sfidë të re në supe. Shpresoj që do t’ia shpaguaj mitrovicasve besimin që ma kanë dhënë. Dua që të kënaqem me çdo moment në basketbollin kosovar. Liga e Kosovës është duke bërë ‘Boom’ këto momente dhe gjithashtu do të provoj të mësojë gjëra të reja nga trajnerët e skuadrave kundërshtare në Kosovë.
Israel Martin ka përvojë 13 vjeçare si trajner basketbolli. Ai i ka asistuar disa trajnerëve me emër në Spanjë, ndërsa punon edhe si trajner në klinikat e basketbollit dhe kampet e ndryshme.
Trepça dy stinorë më parë kishte fituar gjithçka në basketbollin kosovar duke arritur trofeun e kupës së Kosovës dhe titullin e kampionit, por në stinorin e fundit dështuan që të mbronin secilën nga ato.
Deri më tani përveç trajnerit spanjoll, mitrovicasit janë përforcuar me qendrën amerikane Robert Goff, qendrën shqiptare Herion Fasliju dhe alon e Pejës Artin Gashi. Nga skuadra janë larguar Drilon Hajrizi dhe Samir Zekiqi, i pari në Pejë, i dyti në RTV 21.