GJERMANIA
Kampionët në mision të vështirë
17 June, 2018 @17:57
Ndonëse kishte shënuar dhjetë gola në kualifikimet për Kupën e Botës të vitit 2002, duke u bërë golashënuesi më i mirë në zonën e Evropës, Andriy Shevchenko nuk kishte arritur të kualifikohej me Ukrainën për finalet në Korenë Jugore dhe Japoni. Në ndeshjen e kthimit të barazhit, Gjermania pas barazimit 1-1 në Ukrainë, kishte shënuar tre herë në pesëmbëdhjetë minutat e parë me Neuville, Rehmer, dhe Ballack, i cili kishte bërë 4-0 rezultatin në fillim të pjesës së dytë. Sheva kishte shënuar në fund të ndeshjes golin i cili do e ngjite atë në krye të listës së shënuesve para Ebbe Sand i cili në fund ishte fitues i biletës për Lindjen e Largët.
Në ato kualifikime, Gjermania kishte pësuar humbjen e fundit në këtë fazë. Më datë 1 shtator të vitit 2001, në Stadiumin Olimpik në Munih, Anglia kishte mposhtur Gjermaninë me rezultat 5-1. Në ndeshjen e drejtuar nga Collina, Carsten Jancker kishte kaluar në epërsi vendasit, para het-trikut të Michael Owenit, me golat e Gerrardit e Heskey, për fitoren më të thellë të tre-luanëve ndaj Gjermanisë. Gjermanët ishin mposhtur nga Anglia për të dytën herë radhazi në ndeshje zyrtare, pas fitores 1-0 të Anglisë me golin e Alan Shearer në Euro200, që ishte një garë për t’u harruar nga të dy ekipet.
Kjo ishte vetëm humbja e dytë e Gjermanisë në kualifikimet për Kupën e Botës. Humbja e parë në histori të kampionëve të katërfishtë të botës kishte ardhur më 16 tetor të vitit 1985. Në stadiumin e Shtutgartit, Carlos Manuel kishte shënuar golin e vetëm për Portugalinë ndaj Gjermanisë së Schumacherit, Brehmes, Briegelit, e Littbarskit. Ishte një ndeshje në të cilën gjermanët kishin hyrë të kualifikuar tashmë, derisa në Meksikë do të përsërisnin suksesin nga Spanja – finalen.
‘DIE? DAS? DER? DOMINATOR’
Me tetë finale të zhvilluara, Gjermania është kombëtarja me më së shumti paraqitje në finalen e Kupës së Botës, ndonëse ka munguar në dy gara të tilla. Në Uruguai nuk ishin paraqitur, derisa në Brazil në vitin 1950 ishin të dënuar për shkak të Luftës së Dytë Botërore.
Nga tetë finalet, kanë katër tituj dhe katër humbje. Pozitën e tretë e kanë dy herë tjera – 1934, 1970. Ndërsa nuk kanë kaluar rrethin e parë vetëm në Francë në vitin 1938. Kjo superfuqi futbolli, pos Francës, në Argjentinë në vitin 1978 nuk kishin arritur të kalonin në rrethin final, duke u eliminuar në rrethin e dytë të grupeve. Çerekfinalja ka qenë maksimumi në Kili, në SHBA, dhe në Francë në vitin 1998. Nga njëzet Kupa të Botës, në 13 sosh kanë arritur së paku në gjysmëfinale – përfshirë katër të fundit rresht. Gjithçka tjetër është dështim, e sidomos kur vjen si kampion aktual i botës në futboll.
DER BOMBER
Gerhard Muller, i quajtur ‘Bombarduesi i kombit’, ishte fitues i Topit të Artë në vitin 1970. Atë vit ai do të shënonte dhjetë gola në Kupën e Botës në Meksikë, të cilët s’do të mjaftonin për të fituar titullin e botës kundër Brazilit të Peles. Do të shtonte katër gola, katër vite më vonë, përfshirë edhe një në finale për të marrë kupën e Botës, të parën dhe të vetmen në karrierën e tij. Dy vite më herët do të merrte titullin e kampionit të Evropës me Gjermaninë Perëndimore për të cilët do të shënonte 68 gola në 62 ndeshje, me Bayernin do të fitonte gjithçka që do të mund të fitohej gjatë pesëmbëdhjetë viteve karrierë, nga Regionalliga Sud, deri tek Kupa Interkontinentale. Janë 398 gola të shënuar në 453 ndeshje për Bayernin e asaj kohe, i cili mbetet njëri nga ekipet më të mëdha në shekullin e kaluar.
EKIPI
Shkodran Mustafi, Jonathan Tah, Bernd Leno, Emre Can, Mario Gotze, Leroy Sane, të cilët do të ishin liderë për shumicën e përfaqësueseve evropiane në këtë Kupë të Botës nuk kanë gjetur vend në kombëtaren gjermane, sa për lëndime sa për përzgjedhje taktike.
Joachim Low është në krye të Gjermanisë që nga viti 2006, duke fituar 108 nga 162 ndeshje. Formacioni lëviz nga 3-4-2-1 në 4-2-3-1, pa përjashtuar eksperimente tjera.
Thomas Muller mbetet njëri nga lojtarët kyç në këtë formacion, duke mbuluar cilëndo nga tri pozitat gjysmësulmuese, përfshirë edhe pozitën e 9shit fals. Për pozitën e qendërsulmuesit kanë Mario Gomezin e Timo Wernerin, e pas tyre një ‘kamion’ talentesh. Draxler, Brandt, ndihmohen nga Ozil e Reus, të dy me përvojë, të dy me probleme me lëndime. Mesfusha udhëhiqet nga koka e Toni Kroos, me Leon Goretzka, Ilkay Gundogan, Sami Khedira, e Sebastian Rudy, të cilët kanë edhe teknikën edhe fizikun për pjesën defensive të mesfushës.
Kimmich, Hector, Plattenhard, e Ginter duhet të mbulojnë krahët e mbrojtjes, me Boateng, Hummels, Rudiger, e Sule në qendër. Pas tyre kthehet kapiteni Neuer, ndonëse ter Stegen ka pasur sezonin e karrierës dhe meriton të jetë startues për këtë Gjermani.
RUSIA2018
Nuk guxojnë të dremisin në Rusi, në asnjë ndeshje. Një gabim i vogël mund t’i dërgoj në rrethin e dytë menjëherë kundër Brazilit. Çerekfinalja i vendos me fituesit e grupit H me të dytin e grupit G – Anglinë ose Belgjikë sipas të gjitha gjasave, që mund të jetë sfida e parë serioze. Grupet nuk duhet të jenë problem. Për kampionët aktual të botës, as finalja s’duhet të jetë problem!