DITARI I FUNDIT RUS (23)
Botërori dhe vendi ynë
Shkruan: LUAN MORINA
22 July, 2018 @11:02
VAR-i ka qenë shpëtimtar në këtë Kupë Bote. Nuk po flitet për gabimet e gjyqtarëve, as një javë pas përfundimit të Kupës, dhe s’do të flitet as pas 12 a 20 viteve. Penalltia në finale ka hasur në kontestim vetëm nga ana e kroatëve dhe përkrahësve të tyre, të cilët duke arsyetuar ‘peshën’ e finales, provojnë të hedhin fajin mbi Pitanan. Po të ndodhte në anën e kundërt, dhe të mos gjykohej, përsëri do të ankoheshin po ashtu ata.
EUFORIA
Nuk mund të anashkaloj as euforinë e tepruar për kroatët në komunitetin tonë. Aq shumë ka pasur një eufori false sa ka lënë në hije të keqe ata pak tifozë të vërtetë të cilët Kroacinë e kanë përkrahur për arsye të ndryshme (jo-banale si shumica), nga kohërat e hershme, edhe në kohërat e hershme kur humbnin nga goli i Semihut, apo kur duhej të duronin budallallëqet e Milan Rapajicit!
EKSPERTIZA
Por, çmenduria më e madhe e kësaj Kupe ka qenë ‘ekspertiza’ e ofruar në shumicën e emisioneve sportive të cilat kanë munguar vetëm në Dasma TV me gjasë! Por, moderatorët e shumicës së emisioneve kanë mundur të ishin moderatorë edhe në këtë televizion, pasi njohuria e tyre për sportin dhe garën në fjalë ka qenë minimale.
OFENDIMI
Duke jetuar në një vend ku dashuria dhe njohura për sportin janë në nivel të ngritur, udhëheqja e këtyre emisioneve nga femra të cilat komentojnë vetëm pamjen e jashtme, dhe më shumë presin paraqitjen e dytë eventuale të Era Istrefit se sa finalen, është ofendim ndaj pjesës së tjetër të femrave që futbollin e përcjellin për futboll.
TROLLERËT
S’mund të përfundoj Ditarin Rus pa përmendur edhe komentimet e RTK-së. Shumica e tyre, mos të përmendi emra, të çojnë mallin sikur janë komikë të dështuar të denjë për të moderuar llogarinë e ‘Troll Football’! Derisa në Gjermani kemi femra që komentojnë finalen e Kupës së Botës, ne jemi të ngujuar me pseudo-komikë me një fjalor rruge pa kurrfarë analize dhe edukimi sportiv që duhet të ofrohet në televizionin publik.
Derisa në Danimarkë, Holandë, femrat kanë një vend të respektuar në analizat e Kupës së Botës, ne i shfrytëzojmë si mish i gjallë për të sjellë shikuesit me epsh para ekraneve. Dhe kjo nuk mund të arsyetohet me ‘ashtu po don tregu’, sepse tregu nuk matet tek ne, e edhe po të donte, misioni i medias është të japë cilësi programore, edukuese, informative! Por…
11SHJA MË E MIRË
Me një formacion 4-3-3, kam përzgjedhur jo një, po tri ekipet më të mira të kësaj Kupe Bote.
Ekipi i parë – Pickford; Meunier; Varane, Godin, Laxalt; Kante, Modric, Eriksen; Mbappe, Griezmann, Kane – Oscar Tabarez;
Ekipi i dytë – Lloris; Trippier, Umtiti, Maguire, Advincula; Mooy, Cheryshev, Coutinho, Hazard, Lozano, Lukaku – Janne Andersson;
Ekipi i tretë – Subasic; Pavard, Granqvist, Mina, Al-Shahrani; Behrami (me vetëm një lojë), Cheryshev, Quintero; Rebic, Inui, Cavani – Akira Nishino;
Tri ekipet e para, me tre trajnerët më të mirë në këtë Kupë të Botës. Të vetmin arsyetim do e jepja për mungesën e Zlatko Dalicit. Një trajner i mirë s’do të angazhonte Luka Modricin, edhe një pjesë të konsiderueshme të ekipit të parë në një ndeshje të panevojshme me Islandën. Lodhja ka qenë kryekëput arsye pse kroatët sot nuk janë kampion bote në futboll.
i:
Kolumnet/Analizat/Opinionet, nuk paraqesin qëndrimet e redaksisë. |