PARA FINALES VJEN FTESA

Kampioni i Kosovës, në Champions League
Teksti: FBK
5 May, 2017 @18:47
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) sot ka pranuar ftesë zyrtare nga drejtori i Basketball Champions League, Patrick Comninos që skuadra kampione e Kosovës (2016/2017) të marr pjesë në raundin kualifikues të kësaj gare për edicionin 2017/18.
Ekziston mundësia që edhe një klub tjetër nga vendi ynë të marr ftesë për edicionin e ardhshëm të garave kualifikuese të Champions League.
Duhet theksuar se deri te ftesa zyrtare për pjesëmarrje në këtë garë prestigjioze të FIBAs ka ardhur pas bisedave dhe kontakteve të drejtuesve të FBK-së me udhëheqësit e kësaj lige dhe FIBAs.
Basketball Champions League u themelua në vitin e kaluar, ndërsa për herë të parë aty triumfoi Tenerife spanjolle, duke e mposhtur Banvitin e Turqisë në finale të Final Fourit e organizuar nga vetë ekipi i Tenerifes në ishujt Kanarie të Spanjës.