DRITA - DRENICA
Kampioni kundërpërgjigjet, fiton ndaj Drenicës
24 October, 2020 @15:57
Pas humbjes nga Ballkani në Suharekë, kampioni është kundërpërgjigjur me fitore.
Drita në takimin e sotëm në Gjilan ka shënuar fitore 4-1 (Bujar Shabani 2´, Hamdi Namani 20´, Kastriot Rexha 44`, Betim Haxhimusa 79’ / Baton Zabërgja 47’) përballë mysafirëve të Drenicës.
Dilemat sa i përket fituesit u shuan shumë herët, me gjilanasit që shënuan 3 herë gjatë pjesës së parë.
Fillimisht për 1-0 shënoi Bujar Shabani (2´), më pas Hamdi Namani për dyfishimin e epërsisë (20´), e në fund të pjesës së parë, pas asistimit nga Astrit Fazliu, Kastriot Rexha me kokë realizoi për 3-0 (44´).
Drenica e ngushtoi rezultatin me golin e Baton Zabërgjes në fillim të pjesës së dytë (47´), mirëpo kjo ishte e tëra çfarë skuadra nga Skenderaj arriti të bëjë sot.
Në vazhdim të ndeshjes ishin gjilanasit ata që shënuan përsëri. Golin e katërt të kampionit në fuqi të Kosovës e shënoi Betim Haxhimusa (79’), pas asistimit nga Ardian Limani, duke bërë që ndeshja të mbyllet me rezultatin përfundimtar 4-1.
Kështu, Drita tashmë ka 13 pikë pas 6 ndeshjeve të zhvilluara, kurse Drenica pas 8 ndeshjeve ka 8 pikë.