Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

SENZACIONI KANADEZ NË FUTBOLL

Kanadë historike pas 36 vitesh! Arrihet “Katari’22”

Fotot: canadasoccer/fb

Kanadë historike pas 36 vitesh! Arrihet “Katari’22”


Shkruan: Dren Shporta

28 March, 2022 @14:32

Përfaqësuesja e Kanadasë në futboll, që për herë të parë dhe të fundit ka marrë pjesë në Kampionat Botëror në Meksiko 1986 - ka siguruar biletën për Kampionatin Botëror në Katar 2022.

Një vend i njohur për hokej në akull dhe sporte tjera dimërore, ka arritur sukses historik duke u kthyer në skenën botërore më të madhe të futbollit, duke siguruar pikët e nevojshme nga zona CONCACAF për të marrë biletën e Botërorit.

Kanada mposhti mbrëmë vonë Xhamajkën 4-0 në Toronto, ndërsa me këtë siguruan njërin nga tri vendet në tabelë, që garanton pjesëmarrjen. SHBA-të, Meksika, Kosta Rika dhe Panamaja janë ende duke luftuar për dy vendet tjera të sigurta, derisa SHBA-të e Meksikës i duhen nga një pikë në ndeshjet e radhës për të siguruar Katarin.

Në Botërorin e Meksikës 1986, Kanadaja kishte përfunduar pa pikë dhe pa gola të shënuara, duke qenë ndër skuadrat më të dobëta të kampionatit, ku shkëlqente Diego Maradona me Argjentinën.

Kanadezët kishin qenë në grup me Bashkimin e atëhershëm Sovjetik, Francën dhe Hungarinë, ndërsa kishin pësuar radhazi, 2-0, 1-0 dhe 2-0 për të përfunduar atë botëror “zbrazët”.

Por ky kualifikim pritet të jetë tjetër, pasi që Kanadaja ka shumë lojtarë që luajnë në Evropë dhe trajneri anglez i reprezentacionit John Herdman ka thënë se vendi është shtet futbolli.

“Posa jemi kualifikuar për në Kampianatin Botëror, ky është shtet i ligjshëm futbolli” ka thënë Herdman menjëherë pas ndeshjes, selektor ky që kishte kualifikuar më parë edhe ekipin e vajzave në futboll për në Botëror.

Kështu ai është bërë trajneri i parë në botë që ka arritur të dërgojë për në Botëror një përfaqësuese femrash dhe meshkujsh.

“Kur e mora detyrën dhe i shikova lojtarët i thashë. ‘Do të shkojmë në Kampionat Botëror’. S’besoj që dikush na besoi atëherë. Jam tepër i lumtur që gjithë këta tifozë kanë pritur, pritur dhe pritur - dhe tash së bashku po shkojmë atje,” ka thënë Herdman.

“Ky është momenti që secili të ndjek futbollin dhe të bashkohet pasi që mund të bëhemi fuqi botërore nëse vazhdojmë të punojmë mirë,” kanë qenë fjalët e tij plot besim.

Mesfushori Jonathan Osorio duke folur për Sportsnet ka treguar të vërtetën e dhimbshme të futbollit kanadez.

“Kjo është ëndrra e bërë realitet. Të gjithë kemi ëndrruar një gjë të tillë si fëmijë, ndërsa si kanadez ta arrish këtë ka qenë thjesht e pamundur. Por sot, ndodhi e pamundura dhe e pabesueshmja, është ndjenjë e jashtëzakonshme.”

Një xhiro para fundit të kualifikimeve Kanadaja ka siguruar pikët që sigurojnë biletën për Katar.

Jonathan Osorio në Toronto të MLS, Cyle Larin në Besiktas, David Hoilett në Reading, Jonathan David në Lille, Atiba Hutchinson në Besiktas, Alphonso Davies në Bayern - janë vetëm disa nga lojtarët me përvojë, por edhe ky i fundit me prospekt të madh për të arritur edhe më shumë, jo vetëm në këtë Botëror - pasi që Kandaja e ka të sigurt Botërorin e radhës, pasi që ai zhvillohet në SHBA+Kanada+Meksikë - ku kualifikohen si vendas.


 
Të gjitha lajmet nga Botërori