KUPA E EGJEUT 2017
Kosova kthehet pa fitore
Teksti: FFK
19 January, 2017 @22:45
Përfaqësuesja e Kosovës U-17 e ka zhvilluar sot ndeshjen e saj të fundit në turneun “Mercedes Benz Aegean Cup” në Izmir kundër Sllovakisë, në kuadër të Grupit A, e cila u mbyll me fitoren e sllovakëve, 4:2. Kjo ndeshje ishte përcaktuese për skuadrën e cila do të luante për vendin e tretë. Meqenëse sllovakëve u konvenonte barazimi, Kosova hyri në lojë me qëllim të arritjes së fitores.
Qysh në minutën e tretë të përzgjedhurit e Besnik Kollarit patën mundësi të kalonin në epërsi pas gjuajtjes nga këndi, mirëpo vetëm një minutë më vonë sllovakët kaluan në epërsi nëpërmjet një kundërsulmi, me golin e shënuar nga Sebastian Gembicky, 0:1. Ky gol nuk i demoralizoi djelmoshat e Kosovës, të cilët u përpoqën që sa më shpejt të rikthehen në rezultat.
Një mundësi të tillë e patën në minutën e 10-të, kur Adonis Sopa depërtoi mirë nga krahu i djathtë dhe harkoi për Albin Prapashticën, por gjuajtja e tij shkoi përskaj shtyllës. Në periudhën më të mirë të lojës së Kosovës, te minuta e 15, kundërshtari ndëshkoi sërish falë një reagim të pavëmendshëm të mbrojtjes, të cilin e shfrytëzoi Filip Nagy për 0:2. Deri në përfundim të pjesës së parë Kosova dominoi plotësisht. Në minutën e 16 Bajrush Osmani harkoi mirë nga këndorja, por gjuajtja e Prapashticës shkoi pak mbi portë. Në minutën e 21-të erdhi goli i parë i Kosovës, kur Qëndrim Zyba u gjet më së miri në rrëmujën e krijuar pas harkimit nga këndi, duke shënuar për 1:2.
Pjesën e dytë Kosova e nisi furishëm me qëllim që t’i ndryshojë shifrat, pasi vetëm fitorja ia siguronte ndeshjen për vendin e tretë. Në minutën e 44-të Zyba gjuajti nga brendësia e zonës, por portieri sllovak u tregua i shkathtë. Tre minuta më vonë edhe Besnik Koci u përpoq të shënojë nga gjuajtja e lirë, por sërish topi përfundojë në duart e portierit.
Në vazhdim Kollari bëri disa zëvendësime duke e freskuar skuadrën me lojtarë të ri dhe kjo u shpagua në minutën e 61-të, kur i sapoinkuadruari Armend Gashi u faulua në brendësi të zonës për të fituar penallti. I saktë nga 11-metërshi ishte Besnik Koci, duke barazuar shifrat 2:2. Në këtë periudhë të lojës sllovakët filluan me zhagitje të lojës, pasi iu konvenonte barazimi, derisa futbollistët tanë u vërsulën në sulm në kërkim të golit të fitores.
Megjithatë, në minutën e 66 erdhi goli i tretë i sllovakëve, kur Filip Nagy shënoi me kokë pas harkimit nga krahu i majtë. Edhe pas këtij goli futbollistët tanë u angazhuan maksimalisht në përpjekje për t’u rikthyer në rezultat, por kjo krijoi hapësira për kundërshtarin i cili në minutën e 72-të shënoi edhe golin e katërt, nëpërmjet Samue Datko, i cili u dha fund shpresave të Kosovës për t’u rikthyer në rezultat.
Rezultatet e Kosovës:
Kosova U17 - Turqia U17 | 0-4 | Grupi A | |
Sllovakia U17 - Kosova U17 | 4-2 | Grupi A | |
Kosova U17 - Greqia U17 | 0-1 | *miqësore |
TABELA E GRUPIT A:
1 | Turqia U17 | 6 pikë | ||
2 | Sllovakia U17 | 3 pikë | ||
3 | Kosova U17 | 0 pikë |