NGA MARCO VAN BASTEN
Rregullat e reja të futbollit
19 January, 2017 @15:29
Pas vendimit të fundit, vendim ky shumë i kontestueshëm, për rritjen e numrit të skuadrave në një kampionat botëror, numër i cili do të jetë 48 në Botërorin e vitit 2026, shefi ekzekutiv i çështjeve teknike në FIFA, Marco van Basten, ka paralajmëruar edhe shumë ndryshime të tjera në sportin e futbollit.
Legjenda holandeze ka deklaruar që futbolli ka ndryshuar shumë viteve të fundit dhe do të ketë edhe ndryshime të reja me kalimin e kohës, për ta bërë lojën edhe më atraktive e interesante për shikuesit. Rregullat e përmendura më poshtë nuk janë definitive, por megjithatë shihen si propozime dhe ide që të paktën mund të vihen në votim nga shtëpia më e madhe e futbollit në botë.
Rregullat që mund të ndryshojnë duke filluar nga kampionati botëror 2026 janë:
1. S’ka më offside?!
“Jam shumë kurioz të shikoj futboll pa pozicion jashtë loje. Kam frikë se shumë njerëz do ta kundërshtojnë këtë rregull, mirëpo unë mendoj se do të rritej numri i golave në ndeshje dhe loja do të bëhej edhe më atraktive për futbolldashësit. Sulmuesit do të qëndronin më të avancuar dhe loja do të ishte më e hapur.” - ishin fjalët e holandezit Van Basten, i cili potencoi që heqja e pozicionit jashtë loje në futboll është një gjë që duhet diskutohet dhe shumë lehtë mund të ndodh.
2. Heqja e penalltive dhe e kohës shtesë?!
Dy gjëra të tjera që mund të ndryshojnë në vitet e ardhshme janë koha shtesë dhe penalltitë. Nëse ndeshja përfundon me barazim, nuk do të ketë as ‘extra time’ e as penallti, mirëpo lojtarët (individualisht) do ta marrin topin 25 metra larg portës dhe do të kenë vetëm 8 sekonda kohë që të shënojnë në çfarëdo forme që ata dëshirojnë (goditje nga distanca apo të afrohen 1 vs. 1 me portierin).
3. Largimi i kartonëve të verdhë
Ngjajshëm në hendboll, hokej e futsall, nëse aplikohen rregullat e reja, edhe në futboll lojtarët do të largohen nga loja për disa minuta nëse shkaktojnë ndërhyrje të palejueshme, pra nuk do të ndëshkohen me kartona të verdhë. Kjo rregull është propozuar me idenë që skuadrat do të ishin më të ‘frikësuara’ të kalojnë disa minuta me 7-8 lojtarë në fushë dhe kështu do të minimizoheshin ndërhyrjet e palejueshme.
4. Zhagitja e kohës të ndëshkohet!
Për shkak që shumë skuadra e zhagisin lojën kur janë në epërsi me një gol, sidomos në minutat e fundit të ndeshjes, është propozuar që nëse një skuadër zhvillon lojë pasive pas minutës së 80’, pra topi qarkullon pasivisht pa ide sulmuese dhe qëllimi i skuadrës është i dukshëm për ta zhagitur ndeshjen, skuadrës në fjalë i mirret topi dhe topi rrjedhimisht dorëzohet te kundërshtari.
5. Të caktohet një limit për numrin e faullave
Përveç rregullit për largim nga loja të lojtarëve për disa minuta (rregulli 3), nga Van Basten është propozuar edhe një rregull. Të caktohet një limit i caktuar për numrin e faullave të shkaktuar nga një individ. Nëse një lojtar shkakton më tepër se 5 apo 6 faulla, të përjashtohet nga ndeshja.
6. Të ‘zbutet’ dënimi për lojtarët që e prekin topin me dorë me qëllim
Lojtari që e prek topin me dorë me qëllim për ta ndalur golin, të mos përjashtohet, por të largohet nga loja për 5-10 minuta. Inferioriteti numerik i skuadrave në terren po e dëmton futbollin, gjithnjë sipas legjendës Van Basten.
7. Vetëm kapiteni flet me gjyqtarin
Propozohet që vetëm kapiteni i skuadrës të diskutojë me gjyqtarin për ndonjë vendim të kontestueshëm. Rrethimi i gjyqtarit me lojtarë që ankohen nuk jep pamje të bukura për futbolldashësit.
8. Rritja e numrit të zëvendësimeve
Në rast se ndeshja shkon në vazhdime (shtesa), të lejohen edhe 1 apo 2 zëvendësime më tepër.