EGE KUPA 2017
Pas Turqisë, Kosova mposhtet edhe nga Greqia
Teksti: FFK
18 January, 2017 @14:39
Përfaqësuesja e Kosovës U-17 e ka zhvilluar sot ndeshjen e dytë në Izmir në kuadër të turneut “Mercedes Benz Aegean Cup”, por këtë herë ajo ka qenë miqësore.
Përballë djelmoshave të Besnik Kollarit ishte Greqia, e cila bën pjesë në Grupin B. Pas një ndeshje shumë të barabartë fitores iu gëzuan grekët, me rezultat 1:0, falë një penalltie. Në ndeshjen e sotme Kosova pati një paraqitje dinjitoze, ndonëse as në ndeshjen kundër Turqisë nuk luajti dobët, por u ndëshkua nga gabimet.
Kësaj radhe djelmoshat ishin shumë më të vëmendshëm dhe gjatë tërë kohës u treguan rivalë të barabartë të Greqisë, madje në disa periudha të lojës ishin dukshëm më të rrezikshëm se kundërshtari. Në pjesën e parë mundësinë më të mirë për të shënuar e pati Bajrush Osmani, në minutën e 20-të, por gjuajtja e tij nga brendësia e zonës u bllokua nga mbrojtja greke, derisa kundërshtari nuk e pati asnjë rast të rrezikshëm.
Greqia shënoi golin e epërsisë në minutën e 52-të nga penalltia nëpërmjet Georgis Vrakas, pasi gjyqtari e vlerësoi të palejueshme një ndërhyrje për top të Altin Lutollit. Pas këtij goli djelmoshat e Kollarit nuk u thyen moralisht dhe vazhduan me përpikëri t’i zbatonin detyrat e trajnerëve, duke organizuar aksione mjaft të mira, por që fati u mungoi në finalizim.
Në minutën e 60-të, gjuajtja e Edin Huseinit kaloi pranë portës, derisa në minutën e 80-të Qëndrim Zyba ishte dhe më afërt golit, por gjuajtja e tij edhe pse e kaloi edhe portierin grek, në fund përfundoi përskaj shtyllës.
Në këtë periudhë loje Kosova “u dëmtua” për një penallti kur lojtarët grekë luajtën me dorë brenda zonës, si dhe Edin Huseini u faulua, por gjyqtari heshti. Ndeshjen e radhës Kosova e zhvillon, të enjten, për pikë në kuadër të Grupit A kundër Sllovakisë.
FORMACIONET:
Kosova: | Shaban Kuquku, Adonis Sopa, Leard Sadriu, Besnik Koci, Gent Musa, Altin Lutolli, Dardan Shabanhaxhaj, Bajrush Osmani, Adonis Aliu, Albin Prapashtica, Qëndrim Zyba. Luajtën edhe: Edin Huseini, Valon Zumberi, Deniz Sadiku, Armend Gashi, Blend Morina. | ||
Greqia: | Theodiris Venetikidis, Nikolaos Gkotzamanidis, Christos Voutsas, Georgis Vrakas, AG Georgantis, Nikoloas Dosis, Konstantinos Thymianis, Dimitrios Karagiannis, Georgios Liavas, Ioannis Orkas, Georgios Stamatis. Luajtën edhe: Emmanuoil Arvantis, Pavlos Mavroudis, Theodoris Pournaris, Dimitrios Serpezis. |