GIANNI DE BIASI
Kosova premton shumë
13 November, 2015 @16:40
Italiani i kuqezinjëve, Gianni De Biasi, pas ndeshjes është dukur të jetë disi zhytur në mendime. Ndoshta jo për shkak të lojës, sa për shkak të telasheve që do ta presin atë tash e tutje për në rrugë drejt përgatitjeve për EURO 2016.
Sidoqoftë, ai ka pranuar se miqësorja e sotme me Kosovën ka qenë e mirë për ekipin dhe përkundër të gjitha ka qenë festë së pari për këtë vend.
“Kosova është një ekip shumë i ri dhe shumë premtues për të ardhmen. Besoj që do të jetë një ekip që do t’iu shkaktojë telashe përfaqësueseve tjera me kohë, ndërsa nëse do të jetë në kualifikime për Kampionatin Botëror Rusia 2018, mund të shpresojë për diçka edhe më shumë,” ka thënë ai pas ndeshjes kur u pyet për ekipin kundërshtar.
Ndeshja Kosova - Shqipëria përfundoi me rezultat 2-2, ndërsa Shqipëria pas 3 ditësh luan edhe me Gjeorgjinë.