KOSOVA U21
Kosova U21 nis përgatitjet, Celina e Sulejmani mungojnë
Teksti: FFK
28 August, 2017 @23:59
Kosova U21 ka mbajtur sot seancën e parë stërvitore në prag të dy ndeshjeve kualifikuese për Evropianin 2019, kundër Norvegjisë, më 1 shtator në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, përkatësisht kundër Gjermanisë, më 5 shtator në Osnabruck.
Stërvitja është zhvilluar në stadiumin “Agron Rama” në Obiliq dhe atë nga afër e kanë ndjekur edhe përzgjedhësi i përfaqësueses A, Albert Bunjaku me ndihmësin e tij, Muharrem Sahiti, si dhe drejtori teknik, Michael Nees.
Stërvitja e parë ka shërbyer më shumë si rigjenerim për futbollistët, ngase shumica prej tyre në fundjavë kanë zhvilluar lojë, prandaj kjo ka qenë arsye që përzgjedhësi, Rafet Prekazi dhe ndihmësit e tij, Erdogan Celina e Naser Prapashtica të mos i ngarkojnë shumë futbollistët në këtë seancë stërvitore.
Gjithsesi, atmosfera në ekip është shumë e mirë, me disa ndryshime në përbërje për shkak të lëndimeve të disa prej futbollistëve që ishin pjesë e ekspeditës së Kombëtares U21 në ndeshjen e kaluar në Norvegji.
Për dallim nga ndeshja e kaluar në Drammen, kësaj radhe Prekazi nuk do të ketë në dispozicion dy lojtarët e reprezentacionit A, Besart Celinën dhe Valmir Sulejmanin. Celina është me grip, derisa Sulejmani është i lënduar.