SHUHEN GJASAT PËR "EURO"
Kosovë tronditet nga Bjellorusia në Budapest
19 June, 2023 @22:25
Një lojë pa ide e Kosovës në ndeshje ndaj Bjellorusisë, që shfaqi dobësitë e shumta në mesfushë të ekipit, bëri që bjellorusët të arrijnë fitoren e parë pas 15 ndeshjesh zyrtare kualifikuese si për evropian ashtu edhe për botëror.
TABELA AKTUALE dhe ORARI drejt EURO2024
Paraqitja e Kosovës ishte për të dëshiruar, ndërsa pas paraqitjes së dobët ndaj Andorrës në mars, tashmë humbja nga Bjellorusia ka shuar thuajse të gjitha gjasat e Dardanëve për kualifikim tutje.
Bjellorusia 2-1 Kosova [Morozov 73, Ebong 75 - Muriqi 87pen.]
Bjellorusët që në sekondat e para erdhën rrezikshëm dhe për pak sa shënuan. Pas saj edhe një rast të mirë e kishin, por Arijanet Muric ishte aty ku shkonte topi, për të vazhduar shpresat.
Edhe pse nisi një lloj loje e Kosovës, raste konkrete nuk kishte deri në fund të pjesës së parë. Në pjesë të dytë, paksa më hapur, ndërsa Ermal Krasniqi u bë i Kosovës pasi që në pjesë të parë u lëndua Leart Paqarada dhe ai hyri në lojë. Rrudhani shkoi në krah të Paqaradës, ndërsa Krasniqi luajti në pozitën ku kishte nisur Rrudhani ndeshjen.
Nuk ndërroi asgjë. Zhegrova u fut në vend të Dresevicit, ndërsa Hekuran Kryeziu zëvenvdësoi Fazlijin në mes. Hekurani më pas bëri një gabim trashanik, duke i dhuruar top bjellorusëve në tentim për ta larguar atë, e këta të fundit me zëvendësuesin Morozov morën epërsinë.
Nuk vonoi, shënoi edhe Ebong për 2-0! Giresse në lojë futi Loshajn në vend të Celinës, ndërsa Kosova fitoi penallti në fund për të provuar këndelljen në minutat e fundit. Një penallti e fituar, e shënuar nga Muriqi, për përfundimtaren Bjellorusia 2-1 Kosova!
Kosova mbetet pa fitore edhe pas katër ndeshjeve të fazës grupoe. Pa fitore në grup pos Kosovës është vetëm Andorra. Bjellorusia mori fitoren e parë në gara kualifikuese pas 15 ndeshjesh në të gjitha duelet zyrtare. E trajneri i tyre Georgi Konratjev bashkë me lojtarët festuan, derisa Kosova kokulur doli nga Budapesti, ku u luajt ndeshja.◼️